Gjykata Speciale, ‘Familja dhe Shpresa’ kërkojnë takim me Haradinajn

Aktuale

Gjykata Speciale, ‘Familja dhe Shpresa’ kërkojnë takim me Haradinajn

Më: 1 prill 2019 Në ora: 14:14
Gjykata Speciale

‘Familja dhe Shpresa’, shoqata e familjarëve të 86 personave vrarë dhe të zhdukur nga Klina, në masakrën e Kralanit të vitit 1999, ka kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës , Ramush Haradinaj.

Përfaqësuesja e kësaj shoqate, Zana Bytqyi përmes një komunikate për media, thotë se qëllimi i këtij takimi është t’i dorëzojnë kryeministrit kërkesat e kësaj shoqate që datojnë nga 13 Nëntori për plotësim e Ligjit të Gjykatës Speciale, përmes të cilit kërkojnë që gjykohen edhe krimet e serbëve të kryera ndaj civilëve shqiptarë.

“Në këtë takim ne (numri ende i pa përcaktuar i delegacionit të shoqatës dhe familjarëve të tjerë) do t’ju dorëzojmë personalisht juve në duar krejt kërkesat me shkrim që kemi bërë që nga 13 Nëntori 2016 krejt institucioneve të Republikës së Kosovës, krejt partive politike, krejt parlamentarëve të legjislacionit të kaluar, për plotësimin e ligjit të mbrapshtë për gjykatën speciale selektiv për pretendimet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së për krime të luftës, ligj dhe gjykatë kjo e cila e ka amnistuar Serbinë dhe kriminelët e saj nga krimet e bëra ndaj civilëve shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në thirrjen e shoqatës ‘Familja dhe Shpresa’.

Në thirrjen e kësaj shoqate theksohet se tashmë kryeministri dhe të tjerët liderë nuk mund të arsyetohen për mosshfuqizimin e ligjit për Specialen e të cilin kjo shoqatë e quan të mbrapshtë.

“Përderisa gjatë parlamentit të kaluar, mund të arsyetoheshit se nuk e kishit përkrahje të mjaftueshme nga partitë e tjera aty në parlament, tash ky arsyetim i juaj nuk qëndron. Tash e keni shumicën parlamentare dhe po arrini që të mblidhni shumicë të thjeshtë votash për kaluar ligje të reja. Tash jeni në pozitë për të grumbulluar mjaftueshëm shumicë votash edhe për të plotësuar ligjin e mbrapshtë të vitit 2015”, thekson  ‘Familja dhe Shpresa’.

Kjo shoqatë ndër tjerash ka paralajmëruar se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke shtuar se është e turpshme se si përmes votimit të Gjykatës Speciale, Kosova  fali Serbinë dhe kriminelët e saj nga krimet ndaj civilëve shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat