Hoxhaj: Mbështetja e BE-së, kyçe për përmbylljen e suksesshme të dialogut

Aktuale

Hoxhaj: Mbështetja e BE-së, kyçe për përmbylljen e suksesshme të dialogut

Më: 1 prill 2019 Në ora: 16:21
Foto nga takimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot për takim zyrtar emisaren e veçantë për Ballkanin Perëndimor nga Ministria e Jashtme e Çekisë, Janina Hrebickova, me të cilën ka diskutuar për sfidat e rajonit në rrugën e integrimit evropian.

Hoxhaj ka falënderuar emisaren Hrebickova për mbështetjen e Çekisë në rrafshin bilateral ndër vite, ndërsa është zotuar se Kosova është e përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve në fusha të interesit të përbashkët.

Në këtë takim, të dy palët diskutuan për perspektivën evropiane të rajonit, e në veçanti ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Hoxhaj tha se Kosova është e përkushtuar për përmbylljen e shtet-ndërtimit, duke arritur marrëveshje finale me Serbinë, e cila përmban njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ai theksoi se mbështetja e Çekisë dhe e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian për këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Me emisaren Hrebickova diskutuam për perspektivën evropiane të rajonit dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja finale duhet të sjellë njohjen e ndërsjellë si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Mbështetja e Çekisë dhe e shteteve anëtare të BE-së është jashtëzakonisht e rëndësishme për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi”, tha Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat