Ish – kryeministri në ekzil kursehet për shkak të shëndetit

Aktuale

Ish – kryeministri në ekzil kursehet për shkak të shëndetit

Më: 1 prill 2019 Në ora: 18:06
Bujar Bukoshi

Paratë e dërguara e mbledhura nga kosovarët brenda dhe jashtë Kosovës, u derdhën në fonde të krijuara të paraluftës. Shumë prej këtyre parave u destinuan në një fond të tillë të quajtur “Fondi i tre përqindëshit”, i cili ishte i drejtuar nga qeveria në ekzil, kryeministër i së cilës ishte Bujar Bukoshi. Ky fond ka ekzistuar edhe pas luftës, por me një emër tjetër, nga ku edhe u tërhoqën mbi 500 mijë euro. Pikërisht për këtë çështje, po përballen me gjykatën Bujar Bukoshi, Naser Osmani Atdhe Gashi.

Ish-kryeministri i Qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, bashkë me këshilltarin e tij Atdhe Gashi dhe Naser Osmanin, deputet aktual i LDK’së,  janë duke u përballë me akuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për keqpërdorim të “Fondit të tre përqindëshit”.

Edhe pse ky fond me këtë emërtim është mbyllë në qysh në vitin 1999, nga ai kanë vazhduar të tërhiqen para edhe pas luftës, nga 2006 deri në vitin 2011.

Pas luftës, ky fond mori emër “UFORK” (Unioni i Fondeve të Republikës së Kosovës).

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë para dy viteve ndaj Bujar Bukoshit, Naset Osmanit dhe Atdhe Gashit për keqpërdorim të këtij fondi.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka thënë se aktakuza ndaj tyre është ngritur që dy vite dhe tashmë procedura gjyqësore është duke u mbajtur.

“Aktakuza është ngritë parvjet, edhe seancat gjyqësore për këtë rast tashmë po mbahen”, ka thënë Hoxha, derisa ka treguar se procedura është në fazën e kundërshtimit të provave.

Mirëpo, në këtë proces gjyqësor nuk është edhe Bujar Bukoshi, edhe pse është pjesë e aktakuzës.

Media ka biseduar me avokatin e tij, Besnik Berishën, i cili ka thënë se Bukoshi nuk është pjesë e këtij procesi, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Kështu tha edhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, dhe konfirmoi se procesi gjyqësor ndaj Bujar Bukoshit është veçuar, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

“Procesi gjyqësor ndaj Bujar Bukoshit është veçuar, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, por për të tjerët po vazhdon të mbahet në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, ka thënë prokurori Hoxha.

“Fondi i tre përqindëshit”, është krijuar në vitin 92’ nga qeveria në ekzil e Kosovës, kryeministër i së cilës ishte Bujar Bukoshi.

Në fondin që u shua që nga viti 99’, thuhej se janë mbledhur 250 milionë marka gjermane. Ky fond u mbyll me vendim të bankës kantonale të Gjenevës, atje ku u hap fillimisht.

Në vitin 2016, Bujar Bukoshi ishte ftuar të intervistohej nga Policia e Kosovës, lidhur me veprimtarinë e UFORK’ut në Kosovë.

Fondi i Tre për qindësisht u krijua për të përkrahur institucionet “paralele” të Kosovës në atë kohë.

Fondi ka qenë një Organizatë Joqeveritare e regjistruar në New-Ulm të Republikës Federale Gjermane. Themelues dhe nënshkrues të statutit ishin: Bujar Bukoshi, Pjeter Coli, Isa Mustafa, Shaban Bobaj, Muhamet Bicaj dhe Begi Mazelxhin.

Pas përfundimit të luftës, Isa Mustafa, që në atë koha ka shërbyer si ministër i Financave, ka thënë se nga ky fond pasluftës kanë mbetur pa shpenzuar rreth 50 milion marka.

Në vitin 2016, u raportua se shuma prej 512 mijë e 936 eurove është nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta.

Bukoshi e kishte pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat