Sveçla: Veseli u dorëzua, Kuvendi do të diskutojë më 11 prill për komisionin për dëbimin e turqve

Aktuale

Sveçla: Veseli u dorëzua, Kuvendi do të diskutojë më 11 prill për komisionin për dëbimin e turqve

Më: 2 prill 2019 Në ora: 06:27
Xhelal Sveçla

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Kryesia e Kuvendit të Kosovës është dorëzuar dhe pritet t’ia vazhdojë mandatin komisionit që ai udhëheq, në mënyrë që të arrijë ta përfunduar punën e tij.

Sveçla ka treguar ekskluzivisht në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se Kuvendi i Kosovës do të diskutojë më 11 prill për vazhdimin e mandatit të komisionit për rastin e të ashtuquajturve gylenistë.

“Morëm vesh që Kryesia e Kuvendit, apo kryetari i Kuvendit, ka hequr dorë prej obstruksioneve të vazhdueshme të tij”, ka thënë Sveçla, duke iu referuar Kadri Veselit.

“Seanca e 11 prillit do të diskutojë për vazhdimin e mandatit të këtij komisioni”, ka njoftuar ai.

“Do t’i shtohet edhe për 30 ditë afati këtij komisioni, për ta vazhduar punën e tij”, ka treguar Sveçla.

Ai ka thënë se bllokada ndaj këtij komisioni “është bërë që të mbrohet presidenti i Kosovës”, i cili i ka dhënë urdhra dy udhëheqësve institucionalë që të bënin dëbimin e turqve nga Kosova.

Këtë, sipas Sveçlës, Hashim Thaçi mund ta ketë bërë për t’i larë ndonjë borxh presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat