E zbulon Haradinaj: Serbia bleu armë në Moskë, BE-ja nuk e qortoi

Aktuale

E zbulon Haradinaj: Serbia bleu armë në Moskë, BE-ja nuk e qortoi

Më: 2 prill 2019 Në ora: 14:14

(E plotësuar) - Banka Botërore në Prishtinë, sot përmes raportit të fundit deklaroi se në Kosovë ka me mijëra vende të punës të humbur në vitin 2018 dhe se shkalla e papunësisë është rritur, por kështu nuk mendon kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Haradinaj thotë se statistikat tregojnë se në Kosovë ka rritje të vendeve të punës.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj ka thënë se gjendja megjithatë nuk është ajo që kërkohet.

Haradinaj: Nuk ka humbje të vendeve të punës

“Nuk qëndrojnë këto shifra. Si i merrni ju është tjetër. Nuk ka humbje të vendeve të punës në Kosovë , ka rritje të vendeve të punës. Statistikat janë ekzistuese. Ka rritje, ju siguroj. Nuk është ajo rritja që kemi qejf, por ka rritje të vendeve të punës”, tha Haradinaj.

Ai ka shtuar se me Bankën Botërore shpreson të kenë partneritet në disa projekte në vend. Për vendet e punës ka përsëritur se duhet të bëhen investime më të shumta.

Sipas tij, “po punohet, por s’jemi ku duhet”.

Ai ka pranuar se me mbylljen e kazinove është prekur një numër i madh i qytetarëve që tash kanë mbetur pa punë.

Sipas tij, duhet të bëhet një program i caktuar i dedikuar për ta.

Haradinaj është distancuar nga deklarimet e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj se “me qejf do ta punësoja secilin njeri të AAK-së para të tjerëve”.

Haradinaj: Distancohem nga deputeti Demalija

“Distancohem prej kësaj. Nuk mendon as ai ashtu, por e paska thënë me ndonjë hidhërim. Askush s’mendon ashtu në Kosovë. Duhet të gjithë me pas vende të punës dhe me punua për të gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ndër të tjera theksoi se Kosova ka mjaft sfida.

Haradinaj: Kosova ka sfida të shumta, në Serbi, blejnë armë në Moskë, BE nuk e kritikon

 “Jemi vend që kemi sfida. Kosova ka sfida të shumta. Në Serbi, blejnë armë në Moskë. Ato armë janë për qëllime të luftërave. Bëjnë bukur shumë para. Me këtë i bie që Serbia po i merr paratë e taksapaguesve të Serbisë e po hap vende pune në Moskë. BE-ja s’po ankohet, po i jap prap IPA fonde.  Për këtë po u them se ka plotë specifika. Si vend kemi dal nga lufta. Kemi disa skema sociale, disa skema pensionale. Në Gjermani ka skemë për ata të papunët. Akoma s’kemi mbërri ku duhet. Mendimi im është që sa më shumë Evropë në Kosovë më pak punë të këqija dhe më lehtë stabilizohet Ballkani. Nëse BE-ja s’ia hap negociatat Shqipërisë, është më pak Evropë në Ballkan”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka arsyetuar punësimin e bashkëpartiakëve të kryesuesve të Ekipit Negociator Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, në Zyrën e Koordinatorit Administrativ të Ekipit negociator.

Ai tha se ekipet janë profesionale, por edhe politike sepse dialogu është politik.

Haradinaj tha se e përkrahin si qeveri funksionimin e kësaj zyre, por s’janë në dijeni të të gjithë procesit, sepse është punë e bashkëkryesuesve. Ai deklaroi se duhet në emër të AAK-së do ta dërgojnë një përfaqësues pasi Avni Arifi shkon. 

Haradinaj: Pas zgjedhjeve, BE-ja të fokusohet më shumë në Ballkan

Ai ka thënë se pret nga Bashkimi Evropian që pas zgjedhjeve që do t'i kenë, të shtoi fokusin në Ballkanin Perëndimor.

“Është e vështirë për mu me ba parashikime për rezultatin e zgjedhje. Shpresoj që BE-ja do ta rrisë fokusimin në Ballkan. Ne jemi në komunikim direkt me Uashingtonin për zhvillimet tek ne dhe në vendet e rajonit”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri shtoi se Kosova ka sfida të shumta, derisa akuzoj BE-në rreth qasjes së saj ndaj Serbisë.

“Serbia po blenë armë në Moskë, ato armë janë për qëllime të luftës. Serbia po merr para nga taksapaguesit e saj dhe po hap vende pune në Moskë, BE-ja spo ankohet prapë po i jep fonde IPA”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj bëri apel tek të gjithë liderët e rajonit që të luftojnë për ma shumë Evropë.

“Të luftojmë për ma shumë Evropë, dhe t’i kuptojmë specifikat e njëri-tjetrit. Kosova ka më së shumti nevojë për fondet IPA se çdo vend tjetër në rajon”, tha Haradinaj.

Konferenca pas mbledhjes se Qeverisë 

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës. Pas kësaj mbledhje po mbahet konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat