Kosova ka bërë hapa të suksesshëm në forcimin e arkitekturës së sigurisë, thotë Haradinaj

Aktuale

Kosova ka bërë hapa të suksesshëm në forcimin e arkitekturës së sigurisë, thotë Haradinaj

Më: 2 prill 2019 Në ora: 16:49
Pamje nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Komandantin e Operacioneve Civile të BE-së, Vincenzo Coppola dhe shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, me të cilët bisedoi rreth zhvillimeve politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Siç njofton komunikata nga kryeministria, Haradinaj ka njoftuar Coppolan dhe Papadopoulos, me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe angazhimin e përhershëm në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe çështje të tjera me rëndësi për vendin.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj vlerësoi se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë bërë hapa progresivë sa i përket avancimit të kapaciteteve, duke ju falënderuar edhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë.

“Është me rëndësi të madhe krijimi dhe forcimi i arkitekturës së sigurisë, dhe Kosova në këtë drejtim ka bërë hapa të suksesshëm, përkundër sfidave me të cilat është ballafaquar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova është duke harmonizuar legjislacionin në fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit dhe në atë antikorrupsion.

Ndërkaq, drejtori Coppola vlerësoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të çuar përpara agjendën legjislative të vendit, duke treguar gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e dyanshëm.

Haradinaj, njofton komunikata, ka falënderuar misionin e EULEX-it për bashkëpunimin e deritanishëm, në forcimin e institucioneve të sigurisë, duke thënë se Qeveria e vendit ka rritur buxhetin për Drejtësinë, pagat për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë si dhe ka proceduar një varg ligjesh të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e sistemit gjyqësor në vend. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat