Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova në një prononcim i ka komentuar deklaratat e deputetit të VV-së, Glauk Konjufca se LDK-ja do të bënte koalicion me PDK-në po të zgjidhej Lutfi Haziri kryetar i kësaj partie. Rugova ka pranuar se një koalicion LDK – PDK si në të kaluarën, mund të varet edhe nga kryetari i ri i LDK-së.
Rugova ka thënë se për një koalicion me PDK-në nuk mund të vendos një individ, megjithëse ka pranuar se kjo mund të varet edhe nga kryetari i ri i LDK-së.
“Nuk vendos aty individi se çfarë koalicioni i ardhshëm do të bëhet, atë e vendos Lidhja Demokratike, udhëheqja e saj. Sigurisht që koalicioni i ardhshëm mund të varet edhe prej kryetarit të ri, por nuk varet vetëm prej kryetarit”, ka thënë Rugova.
Vetë Rugova është shprehur kundër një koalicioni me PDK-në, duke u shprehur i bindur se LDK-ja nuk do të ketë kryetar që do të bëjë koalicion me PDK-në.
“Unë nuk shoh që LDK-ja do të ketë kryetar i cili do të bëjë sërish koalicion me PDK-në. Unë jam kundër një koalicioni të tillë për shumë arsye. Nuk mund të flitet tash për koalicione”.
Rugova i ka quajtur spekulime parashikimet e deputetit të VV-së, Glauk Konjufcës se LDK-ja do të lidhte koalicion me PDK-në nëse Lutfi Haziri do të zgjidhej kryetar i kësaj partie.
“Krejt ato që i thotë Glauku apo kushdo qoftë janë spekulime hesapi para mediave dhe asgjë tjetër. Unë nuk dua të spekuloj këtu asgjë”.
Kryetari i Istogut nuk e ka mohuar se mund të jetë vetë ai njëri nga kandidatët për kryetar të partisë.
“Po mund të jem, natyrisht. Cila është arsyeja të mos jem unë po e zë? Aty gjithkush mund ta shpreh vullnetin. Unë nuk kam thënë asnjëherë as po as jo se s’kam nevojë me e deklaru. Vjen koha kur them ose po ose jo. Mendoj që çdo anëtar i kryesisë apo nënkryetar duhet të sillet në këtë formë”, është shprehur Rugova.
I pyetur se si do ta shihte zgjedhjen e mundshme të Hazirit në krye të partisë, Rugova ka thë thënë se nuk ka kandidat që ta mbështesë.
“Jo, jo, unë nuk e… Unë nuk kam kandidat që me e mbështetë sepse askush nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën. Lutfi Haziri e ka konfirmu në njëfarë forme, mirëpo nuk ka thënë zyrtarisht. Edhe ai i ka qitë do kushte aty, ku e di unë, ajo është çështje brenda LDK-së dhe nuk mendoj që duhet me u marrë me këtë punë”, ka theksuar Rugova.
2 javë më parë, vetë Rugova kishte thënë se homologu i tij nga Gjilani, Lutfi Haziri mund jetë kryetar i ardhshëm i LDK-së, duke e cilësuar si figurë të rë rëndësishme të kësaj partie dhe si kandidat me potencial për kryetar.
“Forma e shpalljes së kandidaturës për kryetar nga Lutfi Haziri nuk është zyrtare, por ai e ka shprehur vullnetin që të kandidojë dhe është kandidat i mundshëm e pse të mos jetë edhe kryetar? Ai është një figurë e rëndësishme e LDK-së, është njëri nga nënkryetarët dhe unë e shoh si kandidat potencial dhe shumë të mundshëm për kryetar”, kishte deklaruar Rugova.
Ndërkaq mbrëmë, deputeti i VV-së, Glauk Konjufca tha se nëse Haziri do të bëhej kryetar i LDK-së, do të bënte koalicion me PDK-në.
“Nëse fiton Lutfi Haziri, koalicionit VV-LDK i zbresin 30 për qind (gjasat), edhe ndodh e kundërta: koalicioni LDK-PDK hip në 70 për qind për nga mundësia”, është shprehur Konjufca.