Mazrekaj e quan politikan të shitur Dedajn: Si i ndryshoi fjalët Gjergji për rrahjen me shuplaka nga Thaçi

Aktuale

Mazrekaj e quan politikan të shitur Dedajn: Si i ndryshoi fjalët Gjergji për rrahjen me shuplaka nga Thaçi

Nga: Bota sot Më: 3 prill 2019 Në ora: 12:42
Botuesi i gazetës “Bota sot Xhevdet Mazrekaj, Gjergj Dedaj dhe kryetari aktual i Partisë Liberale të Kosovës Seknder Gashi, gjatë një vizite në zyrat tona në Cyrih.

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj, e ka quajtur Gjergj Dedajn, politikan të shitur.

Mazrekaj ka publikuar një foto në llogarinë e tij në Facebook, ku shihet me kryetarin aktual të Partisë Liberale të Kosovës Skender Gashi dhe ish-kryetarin Gjergj Dedaj, gjatë një vizite në zyrat tona në Cyrih.

Përmes këtij imazhi, Mazrekaj ka treguar se Dedaj, më parë nxiste gazetarët e gazetës “Bota sot”, që të shkruanin artikuj se si ai gjatë luftës ishte rrahur e maltretuar nga Presidenti Hashim Thaçi.

Këtë gjë, Dedaj ia kishte konfirmuar edhe Mazrekajt, duke thënë se ishte rrahur me shuplaka nga Thaçi, vetëm pse ishte përkrahës i Presidentit Ibrahim Rugova.

Por, Gjergj Dedaj i ndali deklaratat akuzuese ndaj Thaçit, pasi ky i fundit, ia mbylli gojën me një post publik në institucione.

Duke e quajtur politikan të shitur, botuesi i “Bota sot”, ka thënë se si Dedaj ka shumë në Kosovë.

Reagimi i plotë i Xhevdet Mazrekajt:

Foto nga koha kur Gjergj Dedaj akuzonte Thaçin se e kishte rrahur me shuplaka gjatë luftës

Dera e redaksisë së gazetës “Bota sot”, në Zvicër ka qenë e hapur gjithmonë për njerëz atdhetarë, që e donin lirinë e Kosovës e që kërkonin drejtësi për padrejtësitë që u bëheshin para dhe pas luftës.

Po ua prezantoj këtë fotografi: Përfaqësues të Partisë Liberale të Kosovës, kryetari aktual Skender Gashi dhe ish kryetari Gjergj Dedaj, gjatë një vizite në zyrat tona në Cyrih.

Duket se disa njerëz i ndërrojnë fjalët dhe qëndrimet e tyre, varësisht prej interesit personal.

I tillë është edhe Gjergj Dedaj, i cili i nxiste gazetarët e gazetës “Bota sot”, që të shkruajnë artikuj se si ai gjatë luftës ishte rrahur e malltretuar nga Presidenti Thaçi. Madje, tregonte se si Thaçi e kishte rrahur me shuplaka fytyrës në kohën e luftës, vetëm pse ishte përkrahës i Presidentit Rugova.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas malltretim fizik, psiqik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam malltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, është rrëfyer Dedaj.

Gjergj Dedaj, këto deklarata akuzuese ndaj Thaçit, i vazhdoi për disa vite me radhë, derisa një ditë, ia mbyllën gojën me një post publik në institucione.

Ai më nuk flet për Thaçin që e kishte rrahur me shuplaka. Përkundrazi, Dedaj ka vetëm fjalë miradije për njeriun që dikur e akuzonte për maltretim.

“Misioni euroatlantik vazhdon…! Një fluturim blu, Presidenti tutje për Bruksel dhe Berlin, ku pritet ta takoj Zonjën Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë, ndërsa unë për një vizitë pune n Kroaci !”, kishte shkruar Dedaj në faqen e tij në Facebook, vitin e kaluar.

Politikanë që shiten për një post publik si Gjergj Dedaj, ka shumë në Kosovë.

Kjo pra miq, është fatkeqësia më e madhe, në Kosovën e pas luftës që po njeh shumë pak ditë të mira!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat