Lluka nënshkruan marrëveshjen për uljen e çmimit të roaming-ut

Aktuale

Lluka nënshkruan marrëveshjen për uljen e çmimit të roaming-ut

Më: 4 prill 2019 Në ora: 12:39
Valdrin Lluka

Në samitin digjital të Ballkanit Perëndimor në Beograd, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Palët nënshkruese të marrëveshjes, e cila do të quhet “Roaming si në shtëpi” do të fillojnë gradualisht që nga 1 korriku 2019 të ulin kostot e roaming-ut, ndërsa nga 1 Korriku 2021 nuk do të ketë çmime bazë të roaming-ut.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.

Ministri Lluka u shpreh i gëzuar për arritjen e një marrëveshje të tillë dhe tha se ky do të jetë një hap i mëtutjeshëm për interkonektivitet ndërmjet vendeve të Ballkanit.

“Është një lajm shumë i mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor arritja e një marrëveshje të tillë. Besoj se kjo marrëveshje është edhe një hap më tutje drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal mes shteteve të Ballkanit Perëndimor” u shpreh ministri Lluka.    

Komisionarja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Dixhitale, Mariya Gabriel, tha se Bashkimi Evropian do ta përkrahë këtë marrëveshje për digjitalizimin e Ballkanit.

“Agjenda evropiane digjitale nuk është vetëm një deklaratë, por më shumë se kaq. BE-ja ka ndarë mbi 30 milionë euro për këtë aspekt, përkatësisht për digjitalizimin e Ballkanit”, tha Gabriel.

Ndërsa, Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, tha se kjo marrëveshje është mundësi e mirë që ndër të tjerash të lidhen edhe bizneset ndërmjet vete.

Ndryshe, gjatë këtij qëndrimi dy ditor, ministri Lluka do të jetë pjesë e paneleve dhe diskutimeve të ndryshme të cilat do të kenë fokus në digjitalizimin dhe rritjen e bashkëpunimit regjional, njofton Zyra e informacionit pranë MZHE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat