Ministria Zhiviç premton shtyrjen para të kërkesës së OAK-së

Aktuale

Ministria Zhiviç premton shtyrjen para të kërkesës së OAK-së

Më: 5 prill 2019 Në ora: 15:31
Foto

Me qëllim të diskutimit lidhur me kërkesën për shfuqizim të udhëzimeve administrative që po pengojnë të bërit biznes për sektorin minerar, përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) së bashku me biznese të këtij sektori realizuan takim me ministren e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Dijana Zhiviç kabinetin dhe drejtorët e departamenteve të MBPZHR-së.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi falënderoi ministren për gatishmërinë e realizimit të takimit të dytë urgjent në një periudhë kaq të shkurtë kohore, duke shtuar që kjo e tregon më së miri gatishmërinë e Ministres.

Krasniqi shtoi që OAK tash e një kohë është duke lobuar në zgjidhjen e problemeve të këtij sektori, arsye kjo e cila ka bërë që të realizohen takime të vazhdueshme me ish ministrin e Bujqësisë, zëvendësministrin dhe me kryeministrin.

“Kërkesë e Odës së Afarizmit të Kosovës dhe bizneseve anëtare është të ndryshohen Udhëzimet Administrative ashtu që hapësira të ipet në shfrytëzim për një periudhë më të gjatë kohore dhe të mos kufizohet sipërfaqja. Ndër të tjera, u kërkua edhe shfuqizimi i vendimit për ndalim të ndërrimit të përkohshëm të pasurisë së paluajtshme dhe ulja e tarifës prej 2000 euro për hektar në 50 euro ashtu siç është për kullosa”, thuhet në një komunikatë të OAK.

Krasniqi theksoi që marrja e vendimit për ndryshim të këtyre udhëzimeve përveç që do të krijonte lehtësira për sektorin minerar, do të ndikonte pozitivisht edhe në zhvillimin e tërsishëm të bujqësisë dhe ardhjen e investitorëve të huaj.

Ministrja Zhiviç theksoi që rritja dhe zhvillimi i bizneseve ndikon edhe në rritjen e punësimit në vend, andaj premtoi se bazuar në ligj do të bëjnë çdo gjë për përmirësim të gjendjes momentale.

Zëvendësministri i MBPZHR-së, Boban Stankovic shtoi që e kanë marrë shumë seriozisht kërkesën e OAK-së, kjo është arsyeja kryesore për të cilën kanë krijuar një komision të veçantë i cili do ta shqyrtoj më detajisht.

Kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës (APK) Ahmet Zenjullahu veçoi që problemet e bizneseve janë probleme edhe të tyre dhe se KPMM merr vendime vetëm për minierale, ndërsa APK-ja për hapësirën e tokës.

Në fund të këtij takimi palët u dakorduan që ndryshimi i kufizimit të sipërfaqes dhe çmimit mund të ndryshohet nga Ministrja Zhiviç, ndërsa kohëzgjatja e tokës është e rregulluar me ligj ashtu që ndryshimi i saj duhet të bëhet në Kuvend.

Oda e Afarizmit të Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, Koordinatorja Qendresa Ibrahimi, zyrtarja Mirjeta Shala, pronarët e bizneseve anëtare Idriz Zenjullahu “Guri SH.P.K.”, Edon Bibaj “Kosmonte Foods”, Binak Kalludra “Benita SH.P.K.”, Lavdim Gashi “Buka prej Gurit”, Dashmir Badallaj “Badallaj 5 SH.P.K.”, Faton Nuredini “Toni Mermer SH.P.K.”./KosovaPress/

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u përfaqësua nga: Ministrja Dijana Zhiviç, Zëvendësministri Boban Stankovic, kryeshefi i APK-së Ahmet Zenjullahu, shefi i kabinetit Zoran Spasic, Tahir Ahmeti shef i Divizonit për Politika të Pylltarisë, Arsimit dhe Hulumtimit dhe drejtori i Departamentit Ligjor Shefki Zeqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat