Vetëvendosje – LDK-së: Për protesta s’na duheni ju, mjaftojnë qytetarët

Aktuale

Vetëvendosje – LDK-së: Për protesta s’na duheni ju, mjaftojnë qytetarët

Më: 5 prill 2019 Në ora: 19:33
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar protesta masive për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe  dërgimin e vendit në zgjedhje të reja. Por partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ua ka kthyer shpinën. Qëndrimi zyrtar i LDK’së është se ‘nuk do i bëhen bisht askujt’. Deputeti i VV’së, Ismajl Kurteshi  përmes medias ka një përgjigje për ta.

Ismajl Kurteshi, deputet i VV’së ka thënë se ashtu ua merr mendja LDK’se dhe ashtu le të mbetet. Megjithatë, ai thotë se partia e tij për të organizuar protesta masive kërkon vetëm përkrahjen e qytetarëve, të çfarëdo partie qofshin ata.

‘’Unë nuk e kam ndërmend me i komentu as deklaratat e LDK’së e as të askujt. Qashtu ua ka marrë mendja, qashtu kanë thënë.Ne e kërkojmë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës pavarësisht cilit subjekt politik i takojnë. Edhe atë përkrahje e kemi pasë edhe në të kaluarën. E dini që protestat e shtatorit kanë qenë masovike dhe pritet që edhe protestat e radhës të jenë masovike sepse cështja është e qytetarëve, e kombit, nuk është e Vetëvendosjes. Nuk është dicka për interes tonin, por janë interesat e vendit’’, ka qenë përgjigja e Kurteshit.

Ndërsa zyrtari për media i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në një deklaratë dhënë Periskopit ka konfirmuar qëndrimin e nënkryetarit të kësaj partie, Agim Veliu, se nuk do t’i bashkohen protestave masive, të paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Mustafa ka thënë se qëndrimi i Veliut, është qëndrim zyrtar i partisë.

Derisa është pyetur për deputeten Osmani, Mustafa sërish ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se Veliu si nënkryetar është kompetent të jap qëndrimin e partisë për këtë çështje.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një konferencë të mbajtur për media gjatë ditës së djeshme paralajmëroi protestë masive kundër kësaj Qeverie dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

Protestave, do t’ju paraprijnë tubimet me qytetarë në komuna të ndryshme, të cilat kanë nisur sot nga VV’ja në Vushtrri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat