Kocijançiç e përsëritë se taksa është pengesë për dialogun, nuk flet për njëanshmërinë e BE-së

Aktuale

Kocijançiç e përsëritë se taksa është pengesë për dialogun, nuk flet për njëanshmërinë e BE-së

Më: 6 prill 2019 Në ora: 09:33
Maja Kocijançiç

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka përsëritur edhe një herë kërkesën e BE-së që autoritetet kosovare të pezullojnë menjëherë taksën e vënë ndaj mallrave nga Serbia, duke tërhequr vëmendjen se kjo tarifë pengon Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Ndërsa nuk deklarohet për njëanshmërinë e BE-së.

Kocijançiç, në një intervistë ku ka folur edhe për rolin e ekipit negociator në dialog dhe liberalizimin e vizave, ka kërkuar nga të dyja vendet që të sigurojnë një ambient të favorshëm për dialogun.

BE-ja, thotë ajo, pret që të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, të angazhohen menjëherë ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre evropiane.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka për qëllim të promovojë bashkëpunim dhe pajtim mes të dy palëve, t’i ndihmojë ato që të shënojnë progres në rrugën evropiane dhe të përmirësojnë jetët e popujve. Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen menjëherë ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre evropiane”, thotë ajo.

Duke folur për situatën e brishtë që është krijuar tash e një kohë, ajo thotë se vendimi i autoriteteve kosovare i nëntorit të vitit të kaluar për të vendosur tarifa ndaj produkteve të importuara nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia nuk ka ndihmuar në krijimin e ambientit të nevojshëm për vazhdimin e dialogut.

“Siç është thënë vazhdimisht, Bashkimi Evropian së bashku me shtetet anëtare dhe SHBA-të i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës t’i pezullojë menjëherë tarifat në mënyrë që të lejojë vazhdimin e shpejt të dialogut. Status quo-ja nuk është opsion dhe nuk ka opsion për vazhdimin e menjëhershëm të Dialogut mes palëve. Tarifat, jo vetëm që qëndrojnë në rrugën e dialogut, por edhe në rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës”, thekson ajo.

Ajo ka thënë se BE-ja mirëpret përfshirjen e ekipit negociator, si përkushtim të palës kosovare në normalizimin e procesit të dialogut. Teksa nuk ka dashur të komentojë rreth qëndrimeve të palëve në dialog.

“Bashkimi Evropian e mirëpret rolin dhe përfshirjen e ekipit negociator si demonstrim i prioritetit që autoritetet kosovare janë duke treguar për normalizimin e procesit. Bashkimi Evropian ka parë që Kuvendi ka miratuar Ligjin për Dialogun dhe Platformën e Dialogut. Si ndërmjetësues, BE-ja nuk komenton rreth qëndrimeve individuale të palëve të dialogut. Marrëveshja përfundimtare mund të arrihet vetëm përmes negociatave”, shprehet ajo.

Derisa më 21 mars 2018, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që thuhej të ishte kusht për liberalizimin e vizave, kjo nuk ndodhi.

E pyetur nëse iu është bërë padrejtësi në lëvizjen e lirë qytetarëve të Kosovës, si qytetarë evropianë, Kocijançiç thotë se i takon Parlamentit dhe Këshillit Evropian të miratojë propozimin e Komisionit për udhëtim pa viza.

“Komisioni e ka prezantuar propozimin për heqjen e vizave për Kosovën në vitin 2016, me kuptimin se deri në ditën e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, Kosova do t’i ketë ratifikuar dy kritere të pazgjidhura: Ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe Forcimi i dhënave të saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara. Tashmë i takon Parlamentit dhe Këshillit Evropian të miratojnë propozimin e Komisionit për t’i mundësuar qytetarëve të Kosovës udhëtim pa viza”, thotë ajo në përgjigjen e saj.

Derisa Serbia po vazhdon të bëjë propagandë kundër Kosovës, duke penguar edhe anëtarësimin në INTERPOL, lobon kundër tërheqjes së njohjeve nga vendet që na kanë njohur ndërsa askush nuk po e parandalon atë, zëdhënësja e BE-s thotë se të dyja vendet duhet të sigurojnë një ambient të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga veprimet që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.

“Kosova dhe Serbia duhet të sigurojnë një ambient të favorshëm për Dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit. BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen menjëherë ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre evropiane”, thotë ajo.

Megjithëkëtë, Kocijançiç, ndonëse e pyetur, nuk potencon nëse do të duhej të kishte rezultat më të mirë dialogu Kosovë-Serbi.

“Ashtu siç kanë thënë qartë Përfaqësuesja e Lartë dhe Nënkryetari i BE-së: Dialogu Beograd-Prishtinë ka të bëjë me të gjitha elementet që janë të nevojshme për normalizimin e plotë të raporteve, të gjitha çështjeve të pazgjidhura, përfshirë ato delikate dhe të komplikuara. Një marrëveshje e ardhshme ligjërisht e detyrueshme e Dialogut Beograd-Prishtinë e ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe qëndrimin e BE-së, si dhe të kontribuojë për mirëqenien, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”, ka thënë Kocijançiç.

Ndryshe, Serbia vazhdon të paraqesë dëm të madh për popullin e Kosovës. Vetëm vitin që shkoi, ky shtet ka ndalur dhjetëra qytetarë në kufirin në Merdarë, ndërkohë që ata që lejohen të kalojnë nga Kosova duhet të paguajnë tabelat provizore, derisa nuk u njihen as dokumentet dhe pajisen me fletë të posaçme për hyrje në kufi.

E përkundër kësaj, BE-ja vazhdon të bëjë presion mbi palën kosovare për pezullimin e taksës, duke mos dashur të deklarohet nëse po tregohet e njëanshme në këtë mes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat