Elez Biberaj: Politikanët po e rrezikojnë ekzistencën e Kosovës

Aktuale

Elez Biberaj: Politikanët po e rrezikojnë ekzistencën e Kosovës

Më: 7 prill 2019 Në ora: 11:43
Elez Biberaj, Hashim Thaçi dhe Vlora Çitaku

Njëri prej zërave më të fuqishëm të shqiptarëve në Amerikë, Elez Biberaj është marrë edhe me Kosovën, në përvjetorin e 110 të gazetës “Dielli”.

Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit Euro-Azi në “Zërin e Amerikës”, ka thënë se shoqëritë shqiptare po vuajnë nga një polarizim i rrezikshëm politik, nga qeverisje të dobëta, korrupsion i përhapur thellë dhe mungesë e zërave të besueshëm për kompromis dhe moderim.

Ai ka thënë se nga përplasjet e pozitës dhe opozitës për dialogun e ka dëmtuar më së shumti pozicionin e Kosovës në arenën vendore e ndërkombëtare.

“Njëzet vjet pas çlirimit, Kosova ka arritur përparime të shumta, por mbetet një shtet i brishtë. Negociatat me Serbinë duket se dominojnë gjithshka në Prishtinë, duke e bërë të vështirë që udhëheqja të përqëndrohet seriozisht në çështjet e ngutshme të brendshme. Kohët e fundit, pozita e Kosovës është dëmtuar nga hapat e gabuar të Prishtinës dhe nga grindjet e shumta brenda udhëheqjes”, ka shkruar Biberaj.

Shqiptari që ka ndihmuar liderët politikë shqiptarë të depërtojnë në Shtëpinë e Bardhë ka thënë se raportet e Kosovës dhe SHBA’së nuk janë në nivelin më të mirë.

“Mungesa e konsensusit mbi çështjet themelore, si negociatat me Serbinë, kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe kanë krijuar pakënaqësi mes mbështetësve më të fuqishëm të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Këto dëme, që Kosova ia ka shkaktuar vetë vetes, janë rezultat i dështimit të aktorëve kryesorë për të bashkëpunuar në hartimin dhe zbatimin e politikave të përbashkëta”, ka shtuar ai.

Biberaj është marrë edhe me idenë e Presidentit Hashim Thaçi për korrigjim e ndryshim kufijsh. Ka thënë se Shefi i shtetit kosovar ka dështuar të bindë Ramush Haradinajn dhe një pjesë të popullit se ideja e tij është e mirë.

“Presidenti Hashim Thaçi dukej i bindur se mund të arrinte një marrëveshje me homologun e tij serb për një “korrigjim kufijsh,” në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi. Plani i tij ka hasur në kundërshtime të ashpëra, pasi ai nuk arriti të angazhojë aktorët e tjerë kryesorë, veçanërisht Kryeministrin Ramush Haradinaj, ose të sigurojë mbështetjen e publikut për shkëmbim territoresh. Kjo shkaktoi probleme serioze brenda elitës politike dhe ka dëmtuar pozitën e Kosovës në negociatat e ardhshme me Serbinë. Shprehja publike e mosmarrëveshjeve politike në Prishtinë për këtë çështje, u dha municion atyre që vënë në dyshim vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës – dhe kjo në një kohë ndryshimesh të rëndësishme në mjedisin politik ndërkombëtar, shumica në favor të Serbisë”, ka shkruar Biberaj, transmeton Gazeta Express.

Udhëheqësi i “Zërit të Amerikës” ka paralajmëruar ditë të nëse vazhdohet politika e njëjtë derisa ka thënë se shqiptaro-amerikanët s’mund të rrijnë symbyllur nëse dëmtohen raportet Kosovë-SHBA.

“Vazhdimi i ngërçit politik, marrëdhëniet jo-funksionale mes aktorëve kryesorë dhe paraliza e procesit vendim-marrës, mund të çojnë në një rënie të vazhdueshme të Kosovës si brenda edhe jashtë vendit. Udhëheqësit e Kosovës duhet të gjejnë mënyrat për të kapërcyer ndarjet politike dhe për të përcaktuar rrugën drejt së ardhmes. Do të bënin gabim të madh në se binin në vetë-kënaqësi dhe në se e marrin si të mirëqënë angazhimin e Amerikës. Dhe shqiptaro-amerikanët nuk mund të mbyllin sytë ndaj veprimeve që mund të dëmtonin marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Biberaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat