Fetnete Ramosaj, zë i UÇK-së e simbol i lirisë

Aktuale

Fetnete Ramosaj, zë i UÇK-së e simbol i lirisë

Më: 7 prill 2019 Në ora: 16:44
Fetnete Ramosaj

Gjatë ditës së sotme iu dha lamtumira e fundit ish-luftëtares së UÇK-së Fetnete Ramosaj në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, ku morën pjesë qytetarë, miq e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Me raportimet e saj të dikurshme gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka filluar mbledhja komemorative kushtuar Fetnete Ramosajt, gjatë ditës së sotme.

Ajo u vlerësua si denoncuesja më e madhe e krimeve serbe në Kosovë, zëri i UÇK-së, e po ashtu edhe ndër raportuesit më të veçantë nga Zona Operative e Dukagjinit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se zëri i saj ka qenë simbol i lirisë dhe ka bërë edhe historinë e Kosovës.

Ramosaj: Fetnetja ishte dhe mbeti penda e historisë tonë kombëtare

"Një jetë në shërbim të atdheut, aktiviste, gazetare, publiciste dhe raportuese e luftës që tërë kohën ia kushtoi luftës kombëtare. Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjeve ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë. Pjesëtare e celulave të para shqiptare në Kosovë. Fetnetja ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën në Kosovë, ajo ndërroi jetë e re, por bëri një histori të tërë për Kosovën. Gjatë luftës në Kosovë, mes tjerash ka kryer detyrën e zëdhënëses së UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, njëkohësisht ka raportuar për mediat e luftës, në Agjencinë Shtetërore të Kosovës, KosovaPress dhe Radio Kosovën e Lirë... Fetnetja ishte dhe mbeti penda e historisë tonë kombëtare, zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare gjatë luftës së UÇK-së dhe pas saj...Ajo ka qenë dhe mbetet denoncuesja më e madhe e krimit që kryen forcat serbe në Kosovë, tha Ramosaj.

Ai theksoi se Fetnete Ramosaj meriton titujt dhe epitetet më të madhe të kombit shqiptar, ndërsa ka cituar një fjali të kësaj të fundit, që e kishte thënë gjatë kohës sa ishte e sëmurë.

Ramosaj: I kam marrë lakmi vëllezërit e familjes Bytyqi në luftë

"Unë i kam marrë lakmi vëllezërit e familjes Bytyqi në luftë, sepse kanë pasur një shtet të fortë si Amerika që janë kujdesur për ta. Jam gëzuar që edhe shteti ynë është duke u ngritur, pas sëmundjes sime jam krenuar nga Qeveria e Kosovës, kryeministri Haradinaj më ka përkrahur që të kaloj këtë sëmundje", u shpreh Ramosaj.

Në emër të bashkëluftëtarëve, në këtë mbledhje komemorative, Sali Lajçi tha se Fetnetja ka qenë ndër personalitetet më të njohura në luftë.

Lajçi: Do ta kemi të vështirë ta plotësojmë boshllëkun që la Fetnetja

"Raportimet nga vijat e frontit i kishte të veçanta, ajo ishte reportere luftëtare. Historiane dhe intelektuale... gjakun e dëshmorëve e shndërronte në ngjyrë të penës së saj... sot e kam të vështirë të numëroj të gjitha ato qe bëre ti e nderuara luftëtare Fetnete Ramosaj. Ishe ndër femrat e para në celulat e UÇK-së, krahë për krahë me burrat më të devotshëm të atdheut. Do ta kemi të vështirë ta plotësojmë boshllëkun që le.... Emri yt pasuron dinjitetshëm artin dhe vlerat tona kombëtare", tha Lajçi.

Gjenerali Kudusi Lame tha se Fetnete Ramosaj ka ditur të përdorë pushkën e pendën, pa u lëkundur asnjëherë.

Lame: Fetnete Ramosaj tregoi se femra shqiptare di të triumfojë

"Ajo u tregua e zonja dhe qëndrestare, duke mbajtur në vazhdimësi, u tregua trime duke u paraqitur në veprën e saj në luftën për çlirim, duke treguar kështu me veprën e saj se femra shqiptare di të triumfojë dhe të tregojë suksese, ashtu siç ka arritur gjatë historisë me shembuj që na ka dhënë me figurat kombëtare shqiptare. Në jetën e saj kjo vajzë, na tregoi se e bija dhe motra, dhe bija shqiptare është e fuqishme, se mund të triumfojë", tha ai.

Një fjalë rasti për jetën dhe veprën e Fetnete Ramosaj ka folur edhe bashkëluftëtari Daut Haradinaj.

Haradinaj: Zëri i Fetnetes u dëgjua edhe në SHBA e NATO

"Unë e kam ndoshta në memorie me qindra herë Ramosajn në akademi përkujtime, ngjarje kujtime të dëshmorëve, e që sot po u bashkohet atyre burrave. Ajo që vlen me u përmend për të është zëri i UÇK-së, ajo me zë dhe laps arriti të dëgjohej edhe në Amerikë edhe në NATO, ta dëgjojnë gjithë ata që për një kohë të caktuar i kanë pasur veshët e shurdhër, pra edhe pas përfundimit të luftës Fetnetja nuk u ndal, ka punuar gjatë, qoftë me libra, shkrime, denoncime e kundërshtime me padrejtësisë që u janë bërë ushtarëve në Tribunalin e Hagës, është pothuajse e vetmja që ka pasur gjithë atë guxim", u shpreh Haradinaj.

Për të nderuar jetën dhe veprën e ish-luftëtares së UÇK-së, gjatë ditës qytetarë, familjarë e deputetë të Kuvendit të Kosovës, kanë bërë homazhe pranë arkivolit të saj.

Fetnete Ramosaj ndërroi jetë pasditen e së premtes. Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë luftës në Kosovë, veç tjerash, ka kryer detyrën e zëdhënëses së UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat