Thaçi tregon se sa e shenjtë është Kushtetuta për të, u kërkon të tjerëve mos ta shkelin

Aktuale

Thaçi tregon se sa e shenjtë është Kushtetuta për të, u kërkon të tjerëve mos ta shkelin

Më: 8 prill 2019 Në ora: 19:09
Hashim Thaçi

Kreu i shtetit, që më së shpeshti dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e aktit më të lartë juridik të shtetit, u ka treguar të tjerëve se si nuk duhet të bëjnë kompromis me ligjin për interesa politikë.

Presidenti Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimin të 11-të vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kreu i shtetit ka thënë se mbi bazën e kësaj Kushtetute, qytetarët janë të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i gjithë qytetarëve të saj, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

“Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë bazamentin dhe kornizat e shtetndërtimit dhe funksionimit të tij”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se edhe sot Kosova zotohet për forcimin e shoqërisë multietnike, derisa para pak muajsh institucionet tona implementuan edhe një obligim tjetër kushtetues dhe ligjor, themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ushtri multietnike dhe mbi bazën e standardeve të NATO-s, e cila në të ardhmen e afërt do të funksionojë jo në mënyrë parciale, por në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

I pari i vendit ka ftuar Qeverinë e Kosovës që pa hezitim dhe pa mëdyshje, të respektojë ligjshmërinë në çdo sferë të jetës institucionale, në gjithë Kosovën.

“Të mos ndodh kompromisi me ligjin në emër të përkatësisë etnike apo lojalitetit politik ditor. Respektimi i Kushtetutës merr kuptim të plotë vetëm kur sovraniteti dhe ligjshmëria respektohet në gjithë territorin e Kosovës. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Vetëm ata që e respektojnë ligjin, mund të jenë në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova ka shënuar progres edhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Ka ndërtuar fqinjësi të mirë dhe ka përmbyllur demarkacionin me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Raporti Kosovë – Serbi mbetet shpresë për një të ardhme më të mirë”, ka theksuar ai.

Sipas presidentit Thaçi, kjo mund të arrihet atëherë kur bashkësia ndërkombëtare do të jetë unike në raport me Kosovën, Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, e jo të flas më shumë zëra dhe interesa të ndryshme taktike, që sfidojnë interesin strategjik për të ardhëm euroatlantike të Kosovës dhe më gjerë.

“Si në të kaluarën, edhe sot bashkësia ndërkombëtare mund të kontribuojë në unifikimin politik dhe institucional të Kosovës. Askush të mos pres të ndodhë e kundërta”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka listuar parimet bazë të Kushtetutës së Kosovës, të cilat duhet të respektohen, përkatësisht respektimin e plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve legjislative dhe ekzekutive të saj, sovranitetin, barazinë para ligjit, përdorimin e gjuhëve, përdorimin dhe respektimin e simboleve të të gjitha etnive, vlerat etnike dhe të barazisë qytetare, trashëgiminë kulturore dhe fetare të të gjitha etnive, forcimin e ekonomisë, lirinë e lëvizjes, lirinë e shprehjes, respektimin e ndarjes së pushteteve dhe të drejta të tjera.

Presidenti Thaçi në fund ka uruar të gjithë qytetarët për 11 vjetorin e Kushtetutës, duke falënderuar miqtë ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në, që na ndihmuan në hartimin dhe implementimin e kësaj Kushtetute

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat