Agim Bahtiri sqaron pjesëmarrjen në protestën e VV-së

Aktuale

Agim Bahtiri sqaron pjesëmarrjen në protestën e VV-së

Më: 8 prill 2019 Në ora: 23:34
Agim Bahtiri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka sqaruar pjesëmarrjen e tij në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër qeverisë aktuale të vendit.

Bahtiri ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se vazhdon të jetë anëtar i Aleancës Kosova e Re, dhe se në protestë nuk e ka përfaqësuar partinë.

“Kam marrë pjesë si kryetar i Komunës, nuk kam marrë pjesë si anëtar apo përfaqësues legjitim i AKR’së”, është shprehur ai.

“Albin Kurtin e respektoj jashtëzakonisht, dhe si ide e tij për të bërë ndryshime, po, e përkrahi”, ka shtuar Bahtiri.

I pyetur nëse po largohet nga partia e Behgjet Pacollit, ai është përgjigjur: “Për momentin, ende jam në AKR”.

“Dhe postet e AKR’së, secilit prej neve, i kanë pushuar vitin e kaluar, kur ne i kemi shpallur zgjedhjet e brendshme”, ka thënë Bahtiri.

“Në emër të AKR’së mund të flasë vetëm presidenti, dhe ai është Behgjet Pacolli. Askush tjetër”, është shprehur ai.

Bahtiri ka thënë se është i zhgënjyer nga udhëheqësit e vendit, prandaj ka dalë për të protestuar.

“Si njeri i Mitrovicës dhe kryetar i saj, jam i zhgënjyer shumë me premtimet që janë bërë nga krerët e shtetit për t’i ndihmuar Mitrovicës”, ka theksuar Bahtiri.

“Do ta ngre zërin më së larti kundër atyre që e shfrytëzojnë pushtetin për interesa personale”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat