20 vjetori i shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova në Maqedoni, rrëfime për përjetimet e vitit 1999

Aktuale

20 vjetori i shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova në Maqedoni, rrëfime për përjetimet e vitit 1999

Më: 10 prill 2019 Në ora: 21:45
Pamje 20 vjet pas shpërnguljeve të shqiptarëve në Maqedoni

20 vite janë bërë prej kur shqiptarët shpërnguleshin nga Kosova për në Bllacë gjatë kohës së luftës. E gjatë ditës së sotme është lëshuar treni i njëjtë nga Mitrovica, për të shënuar vozitjen e fundit për në Bllacë, pasi që aty do të qëndroj përgjithmonë treni muze, i cili do të kujtoj periudhën e gjenocidit serb.

Rruga e trenit për në Bllacë, nisi më parullën “Mos e harroni të kaluarën”. E flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë nuk kishte si të mungonte, mirëpo kësaj radhe në duart e një të moshuari me plis të bardhë.

Nostalgji, është fjala me të cilën e përshkruan vozitjen me tren nga Mitrovica deri në Bllacë, sikurse 20 vite më parë, Shaqir Shaqiri.

Ai rrëfen për tmerrin e vitit 1999, ku me 22 anëtar të familjes kishin hipur në tren për në Bllacë, për të shpëtuar nga forcat serbe.

“Kam një nostalgji. Po të kujtoj ato që kemi përjetuar para 20 viteve, aman aman aman…Kur arritëm në Bllacë na është dashur të bëjmë një shtëpi. Djemtë i krasitën disa lista e plepa të gjatë dhe ndërtuar një strehimore ku qëndruam dy net”, rrëfen për RTV Dukagjinin, Shaqir Shaqiri.

Përgjatë rrugës, kujtimet i shoqëronin edhe persona të tjerë të cilët kujtonin kohën e shpërnguljes së kosovarëve nga forcat serbe.

“Flitej se do të na zbresin nga treni dhe do të bëjnë një seleksionim fëmijë, meshkuj, femra…Kur arritëm në Bllacë aty ka qenë një lloj shpëtimi”, rrëfen Zenel Kelmendi.

“Pasi hipën në tren, pamë skena të tmerrshme duke u rrahur njerëz, duke u burgosur njerëz, duke u vrarë njerëz”, rrëfen udhëtari tjetër i trenit, Murat Mustafa.

Rudi Berisha i cili po ashtu ishte pjesë e udhëtimit me tren për në Bllacë, në atë kohë nuk i kishte as 13 vjeç, mirëpo terrorin nga serbët e mban mend mirë.

“Ka qenë një burrë që ka vdekur në tren. Ka pasur nëna duke vajtuar, ka pasur gra që u ishin vrarë burrat dhe tregonin tregime të ndryshme. Unë si fëmijë i kisha përjetuar të gjitha ato tregime”, rrëfen Rudi Kryeziu.

Rrugën sikurse 20 vite më parë dolën ta përshkojnë edhe nga shoqata e të pagjeturve në Mitrovicë.

Treni u nis nga Mitrovica, mirëpo ndaloi edhe në stacionin e Obiliqit, Fushë Kosovës, Ferizajt, Kaçanikut për t’u stacionuar në Bllacë, ku do të vihet gur themeli i memorialit si dhe ku do të qëndroj treni muze, për të kujtuar ikjen e 400 mijë kosovarëve nga forcat serbe gjatë kohës së luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat