Kosova së shpejti me ligj për sanksionimin e mohimit të krimeve të luftës

Aktuale

Kosova së shpejti me ligj për sanksionimin e mohimit të krimeve të luftës

Më: 11 prill 2019 Në ora: 12:41
Krimet serbe në Kosovë

Me kërkesë të zëvendësministrit Enver Hoxhaj, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të autorizojë Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një baze ligjore për sanksionimin e mohimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Hoxhaj tha se diskursi i përdorur nga pala serbe duhet të ndalet, pasi sipas tij, një gjë e tillë po cenon dinjitetin e viktimave të luftës.

"Kohën e fundit po përdoret një diskurs nga pala serbe këtu dhe në Serbi që është krim i dyfishtë. Mohimi i krimit dhe gjenocidit në shumicën e vendeve perëndimore konsiderohet ofendim. Në disa vende ka bazë se si të ndalet përdorimi i gjuhës së urrejtjes. Krimi dhe gjenocidi që ka bërë Serbia në Kosovë janë një fakt. Prandaj, mendoj se duhet të mbrohet përmes ligjit dinjiteti i viktimave. Besoj se është mirë që të autorizohet Ministria e Drejtësisë të përgatisë ligjin për sanksionimin e mohimit të krimit në Kosovë", u shpreh ai.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e projektit për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeo-hapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, me periudhë të kthimit-30 vjeçare; projekt rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në bibliotekën kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani", nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nismën për negocimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore për Projektin "Përfshirja e të Rinjve në zhvillimin ekonomik lokal"; propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronës së paluajtshme e cila preket nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit p ër prodhim të energjisë elektrike.

Po në këtë mbledhje, është aprovuar edhe propozim-vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme ish-shoqërore "Auto Prishtina", ish-Hotel Victory" për nevojat e Policisë të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat