Hoxhaj: Ligji të ndëshkojë ata që mohojnë krimet serbe në Kosovë

Aktuale

Hoxhaj: Ligji të ndëshkojë ata që mohojnë krimet serbe në Kosovë

Më: 11 prill 2019 Në ora: 15:27
Qeveria e Kosovës

Kosova së shpejti do të bëhet me ligj për sanksionimin e mohimit të krimeve të luftës. Kjo pasi me kërkesë të zëvendësministrit Enver Hoxhaj, Qeveria e Kosovës ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një baze ligjore për sanksionimin e mohimit të krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Hoxhaj tha se diskursi i përdorur nga pala serbe duhet të ndalet, pasi sipas tij, një gjë e tillë po cenon dinjitetin e viktimave të luftës.

Hoxhaj: Ligji të ndëshkojë ata që mohojnë krimet serbe në Kosovë

“Viteve të fundit është një diskurs politik ditor, i përdorur edhe nga përfaqësues të Listës Serbe, por edhe nga të tjerët në Serbi, diskurs i cili bën përpjekje që të fshehin të vërtetën dhe të mohojnë krimet të cilat Serbia i ka kryer në Kosovë, që në një plan edhe politik edhe moral është një lloj krimi i dyfishtë, prandaj jam i vendimit që ne të marrim një iniciativë ligjore dhe hapa konkretë, që në të ardhmen, deklarata të tilla, qëndrime të tilla të ndëshkohen përmes ligjit në raport me individ që mohojnë krimin serb në Kosovë. Në shumicën e vendeve perëndimore, mohimi i krimit dhe gjenocidit, konsiderohet si fyerja më e madhe ndaj viktimave, familjarëve si dhe ndaj kombit ndaj të cilit është ushtruar një gjenocid i tillë”, tha Hoxhaj.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e projektit për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeo-hapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, me periudhë të kthimit 30-vjeçare.

Po ashtu, ka miratuar edhe projekt rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në bibliotekën kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani", nismën për negocimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore për Projektin "Përfshirja e të Rinjve në zhvillimin ekonomik lokal"; propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronës së paluajtshme e cila preket nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike.

Miratimin në parim e ka marrë edhe vendimi për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Me këtë marrëveshje, Bashkimi Evropian do të financojë Programin vjetor të veprimit për Kosovë në vitin 2019. Shuma e përgjithshme e kostos së këtij programi është llogaritur në 38 milionë euro dhe kontributi i fondeve të Bashkimit Evropian në financimin e këtij programi është 38 milionë euro.

Qeveria po ashtu ka aprovuar edhe propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme ish-shoqërore "Auto Prishtina", ish-Hotel Victory" për nevojat e Policisë të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat