Institucionet, të shqetësuara me ikjen e qytetarëve nga Kosova

Aktuale

Institucionet, të shqetësuara me ikjen e qytetarëve nga Kosova

Më: 11 prill 2019 Në ora: 16:55
Kuvendi i Kosovës

Perceptimi i krijuar se migrimi i qytetarëve të Kosovës ka shënuar rritje gjatë muajve të fundit, ka shtyrë deputetët e Kuvendit të Kosovës të thërrasin dhe mbajnë një seancë të jashtëzakonshme me pikën, siç është quajtur: “Debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset vendit nga paslufta”.

Iniciues të kësaj seance ishin 41 deputetë që kishin nënshkruar mocionin, por debati ka zgjuar edhe interesimin e deputetëve tjerë.

Deputetët, në përgjithësi e kanë konsideruar shqetësuese ikjen e të rinjve dhe personave me nivel të lartë të edukimit. Gjatë debatit parlamentar lidhur me këtë çështje, është theksuar se ndryshe nga e kaluara kur qytetarët e Kosovës kanë emigruar në mënyrë ilegale, tani po ndodh një migrim legal ku qytetarët po shkojnë në vende të ndryshme të Evropës me viza pune.

Gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale dhe niveli i lartë i papunësisë janë theksuar si dy nga problemet kryesore që po detyojnë të rinjtë të ikin nga vendi.

Fidan Rekaliu, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si iniciator i këtij debati, tha se migrimi kryesisht ka prekur të rinjtë, të cilët siç thotë ai, po ikin si pasojë e mungesës së perspektivës.

“Krahas problemeve të shumta dhe sfidave nëpër të cilat po kalon vendi, ikja e qytetarëve nga shteti i tyre është gjëja më e keqe që po i ndodh Kosovës. Në vizitat e mia në regjione të ndryshme të Kosovës gjatë bashkëbisedimit me të rinjë, temë dhe shqetësim kryesor ishte çështja e ikjes së të rinjve nga Kosova për në shtetet e Evropës në kërkim të një jete më të mirë”.

“Secili nga ne i kemi të njohura arsyet pse të rinjtë po ikin nga Kosova, e ajo kryesore është paperspektiva për një jetë normale. Brengat dhe shqetësimet fillojnë që nga cilësia e dobët e arsimit e deri tek problemi kryesor, pamundësia për të gjetur një vend pune pasi të kenë mbaruar nivelet më të larta të studimeve”, tha Rekaliu.

Sipas tij, është i dhimbshëm fakti se Kosovën po e braktisin edhe të rinj të shkolluar e të profesionalizuar, të cilëve, siç thotë ai, vendi i tyre nuk u dha mundësinë për t'u dëshmuar.

Memli Krasniqi nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e ka konsideruar shqetësuese ikjen e të rinjve nga vendi.

“Fenomeni i ikjeve është padyshim shqetësues për secilin nga ne, por duhet thënë se nuk është fenomen i ri dhe as nuk është ngjarje e ditëve të fundit. Kriza më e madhe ka qenë fillimi i vitit 2015 kur kanë qenë dhjetëra mijëra njerëz që e kanë lëshuar Kosovën, por fatmirësisht shumica prej tyre janë kthyer pasi që ka qenë migrim ilegal për dallim nga ajo që po ndodh sot më shumë që quhet migrim legal”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nga Kosova po ikin edhe qytetarë të cilët kanë një vend pune dhe jo vetëm ata të cilët janë të papunë.

“Ikja nuk po ndodh vetëm nga të rinjtë, por nga të gjithë qytetarët. Ikja masive po bëhet për shkak të mungesës së perspektivës para së gjithash të fëmijëve ku kanë shkolla ku të edukohen, por nuk kanë program e cilësi ku të shkollohen, nuk kanë spitale ku të shërohen prandaj gjejnë zgjidhje në rajon. Shumë më shqetësuese është fakti që po largohen edhe ata që kanë një punë të cilët nuk e ndjejnë veten të sigurt në këtë vend sepse nuk kanë sigurime shëndetësore, punojnë me orar të stërzgjatur, pa pushime javore e vjetore”, thotë Rexhaj.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një konferencë për media i pyetur nga gazetarët lidhur me ikjen e qytetarëve të Kosovës për në vendet e Evropës e më gjerë, ka thënë se ndihet i shqetësuar, por që sipas tij, është një gjë e mirë që po ndodh për ata persona dhe familjet e tyre të cilët po gjejnë punë në këto vende

“Për ata që nuk kanë një vend të punës e gjejnë një vend të punës në Gjermani e Austri apo Zvicër ajo është një zgjidhje, derisa nuk e ka një vend pune këtu në Kosovë. Për ata që janë të papunë është e arsyeshme. Detyra jonë është të hapim vende të reja të punës në Kosovë. Ne po veprojmë dhe operojmë në realitetin tonë, por në këtë realitet është e pamundur të zgjidhim problemin e papunësisë e cila është e akumuluar për 20 vite”, tha ai.

Ndryshe, të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës.

Përgjatë viteve 2013 - 2017, nga Kosova, sipas këtyre të dhënave, të cilat kanë si burim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil.

Trendi i emigrimit në Republikën e Kosovës thuhet në këtë raport, ka pasur një rritje të vazhdueshme deri në vitin 2016, përderisa pas vitit 2016 emigrimi se ka shënuar rënie të konsiderueshme.

Emigrimi i qytetarëve me nivel të lartë të edukimit është konsideruar shqetësuese edhe në raportin e fundit të publikuar nga Minstria e Punëve të Brendshme. Kosova, mbetet vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor të cilës nuk i është mundësuar lëvizja e lirë, pa viza, nga ana e Bashkimit Evropian./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat