Kosova veriore, ndërmjet garës zgjedhore dhe testit për zgjedhje të lira

Aktuale

Kosova veriore, ndërmjet garës zgjedhore dhe testit për zgjedhje të lira

Më: 11 prill 2019 Në ora: 19:24
Mitrovica e dekoruar me flamuj të Serbisë dhe të Rusisë - Fotografi nga arkivi.

Në zgjedhjet e parakohshme për kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të cilat do të mbahen më 19 maj të këtij viti, tashmë e kanë paralajmëruar pjesëmarrjen dy parti, serbe dhe shqiptare, si dhe të tjerat janë duke e shqyrtuar këtë pjesëmarrje, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ende nuk ka ndonjë aplikim zyrtar nga partitë politike.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se afati për aplikim për garën për kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës, tashmë ka nisur.

“Mund t’ju konfirmoj se afati për aplikim të subjekteve politike, për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje në këto katër komuna, ka filluar të rrjedhë më 9 prill dhe do të përmbyllet me datë 18 prill. Po ashtu, ju konfirmoj që, deri në këto momente që po flasim, nuk ka pasur ndonjë aplikim”, ka bërë të ditur Elezi.

Në anën tjetër, subjekti politik, Lista Serbe, e cila në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishte fituar në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë, tashmë ka paralajmëruar pjesëmarrjen në garën për të zgjedhur kryetarët e 4 komunave të veriut të Kosovës, pavarësisht se ish-kryetarët e këtyre komunave që i përkisnin këtij subjekti politik, patën dhënë dorëheqje.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se ky subjekt politik do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që, siç ka thënë ai, shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe.

“Kemi sjellë vendimin që të dalim në zgjedhje, që të mos ndodhë situata që ndonjë shqiptar ta marrë udhëheqjen e komunës me banorë shumicë serbe. Jo vetëm në Mitrovicë, sepse kjo mund të ndodhë në të katër komunat në veri. Dëshirojmë t’ua tregojmë Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare unitetin tonë”, ka thënë Rakiq.

Ndërkaq, subjektet tjera politike të serbëve të Kosovës, ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të katër komunave veriore, më 19 maj.

Ksenija Bozhoviq, nga nisma qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, subjekt ky politik të cilin e ka udhëhequr më parë politikani serb, Oliver Ivanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se ky subjekt politik, javën e ardhshme do ta shqyrtojë pjesëmarrjen në këto zgjedhje, por kjo pjesëmarrje mbetet ende e pasigurt për shkak të situatës komplekse në veri të vendit.

“Do ta shqyrtojmë tërësisht situatën, marrë parasysh se asgjë nuk ka ndërruar nga procesi i kaluar, për sa u përket kushteve të procesit zgjedhor. Ne kemi pasur një viktimë në zgjedhjet e kaluara dhe e dini se si kemi kaluar, se çfarë spote parazgjedhore ka pasur. Ajo nuk ka qenë fare luftë politike dhe nuk ka pasur fare zgjedhje demokratike dhe të drejta. Kështu që, do të ulemi dhe t’i shqyrtojmë të gjitha dhe të shohim ndërkohë se çfarë do të ndodhë, si dhe më pas të sjellim një vendim”, ka thënë Bozhoviq.

Në anën tjetër, edhe partitë shqiptare kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë ose po e shqyrtojnë pjesëmarrjen për zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, u ka thënë të mërkurën anëtarëve të kësaj partie në Mitrovicë, se do të jenë pjesë e garës në të katër komunat.

“Partia Demokratike e Kosovës merr pjesë në katër komunat e pjesës veriore, në Mitrovicën Veriore, me kandidatë për kryetar, po ashtu edhe në Zveçan, Zubin Potok dhe në Leposaviq. Ju ftoj që të bëni fushatë të denjë, dinjitoze dhe të ofroheni te qytetarët, sepse ne e dimë që ata kanë shumë vështirësi”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se një vendim zyrtar i këtij subjekti politik, për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetarë të katër komunave veriore, pritet në ditët e ardhshme.

“Kryesia e LDK-së do të mblidhet së shpejti, për ta shqyrtuar këtë çështje dhe për të marrë vendimin se si do të shkojë tutje lidhur me këtë çështje”, ka theksuar Mustafa.

Subjektet tjera politike, shqiptare dhe serbe, ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të marrin pjesë apo do ta shqyrtojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e 19 majit.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës, vijnë pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm të këtyre komunave, të gjithë përfaqësues të Listës Serbe, më 26 nëntor të vitit 2018, si shenjë proteste ndaj vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e Kosovës. Një ditë më vonë, kryetari i Listës Serbe dhe kryetari i dorëhequr i komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, pati thënë se “administrata e vetëqeverisjes lokale e sistemit të Prishtinës, më nuk ekziston në veri”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat