Hoxha në Paris: E ardhmja e Kosovës është në BE

Aktuale

Hoxha në Paris: E ardhmja e Kosovës është në BE

Më: 11 prill 2019 Në ora: 19:56
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka marrë pjesë në diskutimin me temën: “Kosova 20 vite pas luftës dhe perspektiva e saj evropiane”.

Në këtë ngjarje të organizuar nga Shtëpia e Evropës në Paris (Maison de l’Europe), Hoxha ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe vizionin e Kosovës drejt integrimit në BE, njofton ministria.

“Kosova ka shënuar arritje në fushën e reformave, plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave, dhe mbetemi të vendosur që vazhdimisht të përmirësojmë rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” është shprehur ajo.

“Ne e kemi të qartë se ku po shkojmë, por ne kemi nevojë për mbështetje dhe për një qasje konstruktive nga ana e BE-së, duke qenë se vizioni ynë për të ardhmen është i lidhur ngushtë me anëtarësimin tonë në BE”.

Duke shprehur nevojën për liberalizim të vizave, Ministrja Hoxha ka vlerësuar se ky proces do të ndikonte në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor – sidomos në zgjerimin e mundësive për rininë tonë, si përfaqësuese e vlerave të BE-së.

Hoxha ka theksuar se Kosova ka dëshmuar që është një shembull i bashkëpunimit, promovuese e marrëdhënieve të mira fqinjësore, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më tej –  në rrugën tonë drejt BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat