Krasniqi: Qeveria të shqyrtojë opsionin e shkuarjes në zgjedhje

Aktuale

Krasniqi: Qeveria të shqyrtojë opsionin e shkuarjes në zgjedhje

Më: 11 prill 2019 Në ora: 21:22
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se qeveria e ka të vështirë të qeverisë mirë me Kosovën, sipas tij duhet të shqyrtohet opsioni i zgjedhjeve.

Krasniqi, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se qeverisja në Kosovë lenë shumë për të dëshiruar për shumë arsye.

“Qeveria trashëgon një qeverisje jo të mirë dhe për një, dy apo tri vite është shumë e vështirë të shkojnë punët për së mbari…Pengesat e ndryshme që kemi edhe me faktorët politikë të rajonit, sidomos me Serbinë pengojnë Kosovën të merret me problemet reale”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate ka thënë se edhe vet Kryeministri e ministrat e kanë të vështirë të pajtohen me këtë nivel të kënaqësisë që qytetarët e kanë me qeverisjen.

“Qytetarët janë ata që e shohin dhe e ndjejnë kënaqësinë e qeverisjes. Nga viti 2015 ata kanë filluar të largohen nga Kosova, sepse vendi nuk ua plotëson standardin e jetës dhe sigurinë për punë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Krasniqi ka thënë se me problemet aktuale që ka Kosova, nuk duhet të përjashtohet edhe mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

“Me taksën dhe problemet politike që ka Kosova, nëse nuk gjendet një zgjidhje brenda një kohe të shkurtër, edhe koalicioni qeverisës edhe opozita duhet ta mendojnë shkuarjen në zgjedhje…Vendit t’i jepet një zgjidhje, edhe pse unë dyshoj që kjo klasë politike mund të jep zgjidhje”.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se edhe shkuarja në zgjedhje me këtë formë komunikimi si po e bëjnë subjektet politike, vështirë se do të jepte zgjidhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat