Molliqaj flet se kur Konjufca ka shërbyer në SHIK, sa u pagua dhe kush e rekrutoi

Aktuale

Molliqaj flet se kur Konjufca ka shërbyer në SHIK, sa u pagua dhe kush e rekrutoi

Më: 12 prill 2019 Në ora: 07:14

(E plotësuar) - Vazhdon seanca e Kuvendit, diskutohet për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës

Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet e seancës plenare. Në sallë nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për votim, por po vazhdon debati parlamentar për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës, me kërkesë të deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur nga tetë deputetë.

Deputetja Teuta Haxhiu ka propozuar një rezolutë për pensionistët kontributdhënës, për të cilën tha se pret që në fund të debatit bashkërisht të harmonizohen pikat e parapara në rezolutë.

Haxhiu: Të gjithë ata që kanë punuar të marrin pensione për aq sa kanë punuar

“Të ndryshohet paragrafi 2,3 i nenit 6 të udhëzimit administrativ 9/2015, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, nga 15 në 10 vjet. Të njoftohen të gjithë pensionistët të cilët nuk i plotësojnë kushtet me udhëzimin e mëparshëm për shkak të paragrafit 2,3, nenit 6, dhe të obligohet Qeveria e Kosovës t’i jap pensionin kontributdhënës të gjithëve që kanë punuar 10 apo më shumë vite. Megjithatë është shumë më mirë që fare mos të kenë periudhë kohore, të  gjithë ata që kanë punuar të marrin pensione për aq sa kanë punuar”, tha ajo.

Haxhiu tha se pensionistët janë në pritje të ndryshimit të këtij udhëzimi administrativ.

Image
Teuta Haxhiu

***

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se Glauk Konjuca, ka shërbyer në Shërbimin Informativ të Kosovës në vitin 2000 dhe 2001 dhe se rekrutimin e tij e kishte bërë Fadil Lepaja. Molliqaj ka thënë se paga që ka marrë Konjufca ka qenë 150 marka.

Këto, Molliqaj i ka thënë në  seancën plenare të së premtes, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, që sipas tij, Konjufca ka dalë nga SHIK-u për shkak të pagës së ulët.

Molliqaj ka thënë se tani Glauk Konjufca me bashkëpunëtorë po hezitojnë të ballafaqohen me të vërtetën.

Molliqaj: Konjufca ka shërbyer në SHIK në vitin 2000-2001

“Viti në të cilin Glauk Konjufca ka shërbyer në SHIK ka qenë viti 2000 – 2001, paga është 150 marka, rekrutimin e ka bërë Fadil Lepaja, sektori në të cilin ka punuar është përpunimi i të dhënave. Vet letrat që kanë ardhë nga terreni, një prej letrave të cilën Glauku e kishte ndarë më neve si histori ishte edhe të dhënat që vinin nga Lugina e Preshevës kush ku po ndalet dhe të gjitha ato letra që vinin me shkrim të dorës, Glauku me kolegë të tjerë i përpunonin dhe i fusnin në të dhënat e SHIK-ut. Arsyeja e largimit të Glaukut nga SHIK-u ishte paga e ulët. Këto dhe shumë fakte të tjera tregojnë që Glauk Konjufca ka qenë zyrtar në strukturat e Shërbimit Informativ të Kosovës”, tha ai

Molliqaj ka thënë se nuk e ka problem që dikush ka qenë në SHIK, ai ka shtuar  se beson që SHIK-u si organizatë ka kryer veprime kriminale, por nuk beson që secili njeri në SHIK ka bërë diçka në tillë.

Molliqaj: Glauk ty të shpëton vetëm e vërteta

“Glauk nuk të shpëton Kadria e di që po sillet sikur shefi yt, po të mbron edhe kur po del në emisione, Glauk nuk të shpëtojnë as njerëzit e tjerë të SHIK-ut, të shpëton vetëm e vërteta”, tha ai.

Molliqaj ka thënë se dikush që akuzon dikë, ndërkohë që vet ka qenë  pjesë, është hipokrizi.

Haliti - deputetëve: Shikoni ligjet në internet, s'keni nevojë me udhëtu

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se çdo shtet në botë që ka ligj për zgjedhje, e ka të publikuar në internet, andaj nuk është e nevojshme të vizitohen vende të botës për të parë përvojat e tyre. Derisa në seancën e sotme të po diskutohet për formimin e komisioni add-hoc për forcimin e procesit zgjedhor, Haliti tha se të gjitha partitë i dinë të metat e ligjit për zgjedhje.

Derisa deputetët nuk merreshin vesh për formimin e komisionit, Haliti pati disa fjali për deputetët.

Haliti: ‘Kur dua të kryejë një punë mirrem vesh me të’

“Po dua t’i referohem fjalëve të dikujt që njihet, thotë ‘kur dua që një punë të bëhet, mirrem vesh me të, do të thotë me punën, kur nuk më intereson formoj komisione ose grupe pune’. Tani ne e dimë të metat e ligjit të zgjedhjeve, i dimë, e dimë fatin edhe të atij komisioni të famshëm që është formuar për të mos u bërë ligji, dhe ka punuar për të mos u bërë ligji, por ka shëtitur prej Kosovës në dynja tu këqyrë përvojat e dynjasë, ku secili shtet në botë që ka ligj për zgjedhje është në internet dhe nuk keni nevojë askund me dalë me këqyrë. Uroj që kjo praktikë mos të përsëritet”, tha ai.

Ai tha se secili subjekt politik i di të metët e ligjit për zgjedhje, por sipas tij, meqë deputetët kanë dhënë zotimin për formimin e këtij komisioni, atëherë të merren seriozisht me të.

Deputetët e Kuvendit do të vazhdojnë seancën e rregullt pas pauzës, në orën 15:00.

Deputetët nuk merren vesh për formimin e Komisionit për forcimin e procesit zgjedhor

Me 70 deputetë në sallë, për Komisionin ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, kanë votuar vetëm 49 deputetë. Kështu, në Kuvendin e Kosovës dështoi formimi i këtij komisioni, pikë kjo e cila iu shtua sot rendit të ditës me propozim të deputetit Memli Krasniqi.

Për formimin e këtij komisioni u zhvillua diskutim në seancën e sotme, meqë Partia Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës propozuan zëvendësimin e shefave të grupeve parlamentare, me deputete femra.

Por në votim doli komisioni me emrat e parë, që ishin Avdullah Hoti, kryesues i komisionit, Memli Krasniqi zëvendëskryesues i parë, Glauk Konjufca anëtar, Dardan Sejdiu anëtar, Ahmet Isufi Anëtar, Sasha Milosaleviq anëtar, Billall Sherifi anëtar, Albert Kinolli zëvëndës kryeues i dytë, dhe Blerta Deliu-Kodra anëtëar, Albulena Haxhiu anëtar dhe Arben Gashi anëtar.

Pritet që pas pauzës në vihet në votim edhe njëherë formimi i komisionit për përmirësimin dhe forcimin e  procesit zgjedhor.

Kurti: Kryeministri bën gjeste patriotike vetëm kur qytetarët ngritën kundër hajnisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se presidentin dhe kryeministrin duhet hequr nga ‘qafa e popullit’.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kurti ka përmendur shkarkimet që kryeministri Ramush Haradinaj u ka bërë ministrave serbë, ku tha se Haradinaj ndërmerr veprime të tilla vetëm kur mediat ngrisin akuza për korrupsion qeveritar ose kur qytetarët ngritën kundër hajnisë.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se kryeministri e presidenti sot janë si bajraktar fisesh.

Image
Albin Kurti

Kurti: Pazari ku ndodhet ky pushtet është i trefishtë

“Pazari ku ndodhet ky pushtet është i trefishtë, pazar me Gjykatën Speciale, pazar me territorin e Kosovës dhe pazar me shpronësimet për asfalt dhe me punësime në ndërmarrje. Për president e kryeministër, Kosova ka dy bajraktarë fisesh, këto fise janë të ndryshme, por janë të njëjta sepse shikohen vetëm në pasqyrë. Ata janë të papublikueshëm, janë turpi ynë për paturpësinë e tyre. Nuk na e bëjnë dot as shtetin as zhvillimin, andaj nuk e duan as shtetin as zhvillimin. Duhet t’i heqim nga qafa e popullit sepse nuk ua heqim dot pasqyrën nga dora”, tha ai.

Ai ka bërë thirrje për bashkim kundër korrupsionit.

Gjithashtu Kurti foli për shkarkimet që kryeministri u ka bërë vartësve të tij.

Ai tha se Haradinaj në vjeshtë të vitit 2017 e mbronte ministrin Nenad Rikalo, ndërkohë që e ka shkarkuar shumë më vonë.

Kurti: Kryeministri merr vendime patriotike kur qytetarët ngritën kundër hajnisë

“Vetëm kur ngritën akuza nga mediat për korrupsion qeveritar, ose kur ngritët vala qytetare kundër hajnisë sikurse tani, kryeministri e bënë ndonjë gjest patriotike. Sepse ky tanimë e konsideron qeverisjen lojë me letra, ku patriotizmi është gjoker nën mëngë”, tha ai.

LDK: Thaçi mos t’i prekë simbolet e presidentit Rugova

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që simbolet e presidentit historik, Ibrahim Rugova, të jenë të paprekshme. LDK, në seancën që po zhvillohet sot në Kuvendin e Kosovës ka reaguar me veprimin e presidencës, e cila ka larguar nga përdorimi vulën presidenciale me simbolet e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. LDK ka deklaruar se do të fillojë procedurat për amendamentim të ligjit për simbolet e shtetit dhe presidentin.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxheri ka thënë se presidenti Hashim Thaçi pretendon të zhdukë çdo gjurmë të historisë së kombit shqiptar.

Gaxheri: Thaçi pretendon të zhdukë gjurmët e historisë

“Lidhja Demokratike e Kosovës reagon dhe shpreh indinjatën e vet ndaj veprimit të presidentit Thaçi me rastin e largimit nga përdorimi i vulës presidenciale me simbolet e presidentit historik të Republikës së Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Zotëri Thaçi, i cili pretendon të zhdukë çdo gjurmë të historisë së gjatë dhe të dhimbshme të kombit tonë, është e papranueshme. Me këtë rast, po ju drejtohemi zotëri Thaçi, historia e këtij kombi nuk ka filluar me ju dhe as nuk do të përfundoje me ju. Historia e popullit tonë ka heronjtë e vet dhe tradhtarët e vet”, tha ajo.

Image
Besa Gaxheri

Gaxheri tha se Thaçi nuk do të mund asnjëherë të zhvlerësojë vlerat e presidentit Rugova.

Gaxheri:  LDK do të fillojë procedurat për amandamentimin e ligjit për simbolet e shtetit

“Vlerat kombëtare ju nuk mund t’i dëmtoni kurrë, ato jetojnë lartë në qiellin tonë, atje mund të arrijnë vetëm shqiponjat, ndërsa sorrat e korbat krokasin poshtë. LDK nga sot do të fillojë procedurë për amandamentim të ligjit për simbolet e shtetit dhe ligjin për presidentin. Simbolet e presidentit Rugova do të jenë të paprekshme nga kushdo qoftë në këto institucione”, tha ajo.

Gaxheri tha se vepra dhe vlera e presidentit historik, Ibrahim Rugova, është e pavdekshme.

Deputetët kërkojnë që ish-burgu i Prishtinës të bëhet muze

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e seancës plenare me kërkesën e deputetit Nait Hasani, në emër të deputetëve, që burgu i cili ka qenë në Prishtinë të shpallet burg-muze.

Sipas tij, kërkesën e kanë bazuar në trashëgiminë, të kaluarën dhe vuajtjet e popullit shqiptar në atë burg.

Hasani, në pikën për deklarime jashtë rendit të ditës, paraqiti kërkesën e dalë nga komisioni për barazi gjinore dhe të drejta të njeriut, ku kërkoi nga presidenti, kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe institucionet tjera relevante, që burgun e Prishtinës ta kthejnë në muze.

Hasani: Burgu në Prishtinë të shpallet burg-muze

“Burgu i Prishtinës, që është transferuar në burgun e ri në paraburgim te Pallati i Drejtësisë, burgu që kanë qenë në Prishtinë të shpallet burg Muze. Kërkesa jonë është bazuar në trashëgiminë, të kaluarën, vuajtjet e popullit tonë, njerëzit që kanë kaluar nëpër këtë burg, dhe historia e këtij burgu që njerëzit të arrijnë atë pjesë si kërkesë e jona që ky burg të shpallet muze, burg i vuajtjeve, burg i sakrificave, i mundimeve, i vdekjeve, njerëzve që kanë kaluar atypari, duke përfshirë Adem Demaçi, vdekjen e Fazli Grajcevcit, Rexhep Malën, Kadri Osmanin, Hidajet Hysenin, Bajrush Xhemajlnin, Ali Aliun, Sejdi Veselin, Rrahman Bahtirin, Rahman Dini e shumë e shumë të burgosur të tjerë”, tha ai.

Hasani tha se ka dëshmi që është propozuar që ky burg të ndahet për agjenci të ndryshme, por sipas tij, duhet të kthehet në muze dhe të mbledh gjithë trashëgiminë e burgjeve të Kosovës, në mënyrë që të jetë dëshmi e krimeve që janë bërë ndaj shqiptarëve.

Sot seanca plenare e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë plenare ku janë planifikuar të diskutohen 17 pika të rendit të ditës.

Në mesin e këtyre pikave është paraparë edhe interpelanca e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë nga GP i PSD-së, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës.

Po ashtu, pritet të mbahet debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetit Korab Sejdiu, lidhur me nevojën urgjente për vendosje të sanksioneve ekonomike, përfshirë embargon, dhe sanksioneve politike kundër Serbisë, si masë reciprociteti.

Rendi i ditës:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës, 

2. Koha për pyetje parlamentare, 

3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, 

4. Shqyrtimi i Propozim-Amendamentit nr. 26 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga 80 deputetë të Kuvendit, 

5. Votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së,  

6. Shqyrtimi i Propozim-programit të Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2019,  

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-081 për qasje në dokumente publike, 

8. Interpelanca e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë nga GP i PSD-së, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës,  

9. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputetë nënshkrues, në lidhje me të drejtat e pensionistëve kontributëdhënës, 

10. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, në lidhje me mosekzekutimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. KI 08/09, dt. 17 dhjetor 2010, Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 04-V-799, dt. 19 mars 2014, Vendimit të Qeveris së Republikës së Kosovës, nr. 08/186, dt. 29 prill 2014 i hyrë në fuqi më 12 maj 2014 dhe të dy (2) udhëzimeve të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, nr. C-V-14-4099 dhe nr. C-V-14-4332, dt. 13 qershor 2014,  

11. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetit Korab Sejdiu, lidhur me nevojën urgjente për vendosje të sanksioneve ekonomike (përfshirë embargon) dhe sanksioneve politike kundër Serbisë, si masë reciprociteti, 

12. Debat parlamentar sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, mbështetur edhe nga 7 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse mbi organizimin e arsimit parauniversitar në Kosovë,  

13. Raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës,  

14. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-"KOSTT" Sh.A,  

15. Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për kompensimin e anëtarëve të këtij Komisioni,  

16. Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e zëvendëskryetarit të dytë në Komisionin Ad-hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe benificioneve nga sigurimi social, 

17. Shqyrtimi i kërkesave të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, për zgjatjen e mandatit dhe për emërimin e zëvendskryesuesit të këtij Komisioni Hetimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat