KDI: 35 % e qytetarëve nuk i besojnë delegacionit shtetëror për dialogun

Aktuale

KDI: 35 % e qytetarëve nuk i besojnë delegacionit shtetëror për dialogun

Më: 12 prill 2019 Në ora: 10:38
Violeta Haxholli, Jeta Krasniqi

(E plotësuar) - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), gjatë një konference për media të mbajtur sot, ka shpalosur të gjeturat kryesore nga sondazhi i tetë “Këndvështrimi i qytetarëve rreth dialogut Kosovë – Serbi pas formimit të delegacionit shtetëror”, që vë në pah këndvështrimin e qytetarëve të Kosovës rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë se të dhënat e marra nga hulumtimi tregojnë që afërsisht gjysma e qytetarëve, 44% e tyre, nuk i shohin zgjedhjet si zgjidhje për tejkalimin e problemeve që ndërlidhen me procesin e dialogut.

Megjithatë, një pjesë tjetër e konsiderueshme e qytetarëve, përkatësisht 31% e tyre, kanë deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje para vazhdimit të fazës përmbyllëse, ndërsa 25% e qytetarëve nuk e dinë nëse duhet të ketë zgjedhje apo jo.

Krasniqi: 43.7 % e qytetarëve mendojnë se nuk duhet të mbahen zgjedhjet para dialogut

 “Ajo çfarë del në pah është që 43.7 për qind e qytetarëve kanë vlerësuar se nuk duhet të ketë zgjedhje para vazhdimit të fazës finale të dialogut, kundrejt 31.4 për qind vlerësojnë se duhet të ketë zgjedhje para se të vazhdohet me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ndërsa, rezultat e qytetarëve të cilët janë të pa vendosur apo që nuk e dinë, janë 24.9 për qind. Edhe në bazë të qëndrimeve të përkatësive etnike, shohim që në përgjithësi të gjitha komunitetet tjera jo shumicë, janë më shumë që nuk duhet të shkohet në zgjedhje para përfundimit të fazës së dialogut”, tha Krasniqi.

Ajo tha se rreth 52 për qind e votuesve të të dy partive opozitare LDK dhe LVV të cilat po kërkojnë zgjedhje, vlerësojnë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje para vazhdimit të fazës përfundimtare të dialogut.

Duke prezantuar të gjeturat lidhur me afatet kohore brenda të cilave duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Krasniqi deklaroi se 32% e qytetarëve mendojnë që marrëveshja duhet të arrihet gjatë vitit 2019. Në anën tjetër, 29% e qytetarëve mendojnë që nuk duhet të ketë fare afate kohore për arritjen e marrëveshjes.

Ndërsa, Violeta Haxholli nga KDI, lidhur me rezultatet e këtij hulumtimi, ka theksuar se qytetarët janë të ndarë në qëndrimin e tyre rreth besueshmërisë ndaj Delegacionit Shtetëror të Kosovës.

Rreth 35% e qytetarëve nuk besojnë, ndërsa 34% e tyre besojnë që Delegacioni Shtetëror do të arrijë të mbrojë interesin e Kosovës në kuadër të procesit të dialogut. Kurse, 28% e qytetarëve nuk kanë qëndrim mbi këtë çështje.

Duke folur lidhur me përfshirjen eventuale të dy partive opozitare përkatësisht LDK-së dhe LVV-së në Delegacionin Shtetëror, Haxholli shtoi që sipas rezultateve të hulumtimit, gati gjysma e qytetarëve, përkatësisht 46% e tyre, janë shprehur që të dy këto parti duhet të përfshihen në Delegacion.

Haxholli: 34.8 % e qytetarëve nuk i besojnë delegacionit shtetëror

“34.8 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se nuk besojnë se delegacioni shtetëror i Kosovës do të arrij të mbroj interesin e Kosovës në procesin e dialogut, ndërsa 34.3 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se i besojnë delegacionit. Një numër relativisht i lartë i qytetarëve prej 28.2 për qind janë përgjigjur se nuk e dinë se a i besojnë apo jo delegacionit. 46 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se mendojnë që të dy këto parti(opozitare) duhet të përfshihen në delegacionin shtetëror, kundrejt 22.1 për qind të qytetarëve të cilët mendojnë se asnjëra nga këto dy parti nuk duhet të përfshihen në delegacion”, tha Haxholli.

Në bazë të preferencave partiake, nga 55% e votuesve të dy partive respektive përkatësisht LDK-së dhe LVV-së, mendojnë se të dy këto parti duhet të përfshihen në Delegacionin Shtetëror. 

Ajo potencoi se 22% e qytetarëve kanë deklaruar se asnjëra nga këto parti nuk duhet të përfshihet në Delegacionin Shtetëror, ndërsa 21% e qytetarëve janë shprehur se nuk e dinë. Janë rreth 10% e qytetarëve që vlerësojnë se vetëm njëra apo tjetra parti duhet të përfshihen në Delegacion Shtetëror.

Sa i përket metodologjisë, ky hulumtim është zhvilluar përgjatë periudhës 3 deri më 12 mars të këtij viti, si dhe ka përfshirë një mostër përfaqësuese prej 1070 respondentësh në nivel vendi, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

KDI: Qytetarët nuk duan që zgjedhjet të mbahen para arritjes së marrëveshjes me Serbinë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sot ka publikuar rezultatet e opinionit të tetë publik lidhur me Dialogun Kosovë-Serbi.

Jeta Krasniqi nga KDI theksoi se në pyetjen se a duhet të shkojë në zgjedhje vendi para vazhdimit të fazës përmbyllëse të dialogut, 43.7 përqind e qytetarëve vlerësojnë se nuk duhet të ketë zgjedhje para se të vazhdohet me dialogun, ndërsa 31. 4 përqind mendojnë se duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë para përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Në pyetjen se a duhet të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, rreth 32.1 përqind e qytetarëve mendojnë se këtë vit duhet arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa 22.7 përqind mendojnë se dialogu të arrihet vitin e ardhshëm. 4.4 përiqind e qytetarëve mendojnë se nuk do të arrihet marrëveshje fare.

Violeta Haxholli nga KDI, tha se 34.8 përqind nuk besojnë se delegacioni i shtetëror të Kosovës do të arrijnë t’i mbrojë interesat e shtetit të Kosovës, ndërsa 34.3 përqind e qytetarëve besojnë se ekipi negciator do të punojë në favor të shtetit të Kosovës.

Se a duhet të përfshihen LDK dhe VV në delegacionin shtetëror, mbi 46 përqind e qytetarëve mendojnë se duhet të përfshihen këto dy parti opozitare në dialog.

Sondazhi është realizuar në periudhën 3 deri 12 mars të këtij viti dhe është realizuar me 1070 qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat