LDK: Thaçi mos t’i prekë simbolet e presidentit Rugova

Aktuale

LDK: Thaçi mos t’i prekë simbolet e presidentit Rugova

Më: 12 prill 2019 Në ora: 11:37
Besa Gaxheri

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që simbolet e presidentit historik, Ibrahim Rugova, të jenë të paprekshme. LDK, në seancën që po zhvillohet sot në Kuvendin e Kosovës ka reaguar me veprimin e presidencës, e cila ka larguar nga përdorimi vulën presidenciale me simbolet e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. LDK ka deklaruar se do të fillojë procedurat për amendamentim të ligjit për simbolet e shtetit dhe presidentin.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxheri ka thënë se presidenti Hashim Thaçi pretendon të zhdukë çdo gjurmë të historisë së kombit shqiptar.

Gaxheri: Thaçi pretendon të zhdukë gjurmët e historisë

“Lidhja Demokratike e Kosovës reagon dhe shpreh indinjatën e vet ndaj veprimit të presidentit Thaçi me rastin e largimit nga përdorimi i vulës presidenciale me simbolet e presidentit historik të Republikës së Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Zotëri Thaçi, i cili pretendon të zhdukë çdo gjurmë të historisë së gjatë dhe të dhimbshme të kombit tonë, është e papranueshme. Me këtë rast, po ju drejtohemi zotëri Thaçi, historia e këtij kombi nuk ka filluar me ju dhe as nuk do të përfundoje me ju. Historia e popullit tonë ka heronjtë e vet dhe tradhtarët e vet”, tha ajo.

Gaxheri tha se Thaçi nuk do të mund asnjëherë të zhvlerësojë vlerat e presidentit Rugova.

Gaxheri:  LDK do të fillojë procedurat për amandamentimin e ligjit për simbolet e shtetit

“Vlerat kombëtare ju nuk mund t’i dëmtoni kurrë, ato jetojnë lartë në qiellin tonë, atje mund të arrijnë vetëm shqiponjat, ndërsa sorrat e korbat krokasin poshtë. LDK nga sot do të fillojë procedurë për amandamentim të ligjit për simbolet e shtetit dhe ligjin për presidentin. Simbolet e presidentit Rugova do të jenë të paprekshme nga kushdo qoftë në këto institucione”, tha ajo.

Gaxheri tha se vepra dhe vlera e presidentit historik, Ibrahim Rugova, është e pavdekshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat