Takimi Thaçi-Vuçiq në Berlin: Zbulohet skenari, ja çfarë pritet të ndodhë

Aktuale

Takimi Thaçi-Vuçiq në Berlin: Zbulohet skenari, ja çfarë pritet të ndodhë

Nga: N.H Më: 13 prill 2019 Në ora: 22:05
Hashim Thaçi, Angela Merkel dhe Aleksandar Vuçiq

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, do të takohen më 29 prill në Berlin, me ftesë të Gjermanisë dhe Francës.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk pret ndonjë zhvillim konkret sa i përket takimit të 29 prillit në Berlin.

Haziri ka theksuar se ky takim nuk do të jetë i lehtë për asnjërën palë, pasi do i nënshtrohen presionit të qeverisë gjermane.

“Nuk pres që në takimin e shumë përfolur të Berlinit të ketë ndonjë marrëveshje apo nënshkrim të sajë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht që ky takim ndërmjet delegacioneve nga Kosova dhe Serbia nuk do të jetë i lehtë për asnjërën palë, pasi do i nënshtrohen presionit të qeverisë gjermane për vazhdimin e dialogut”, ka thënë Haziri.

Me tej, ai ka thënë se palët edhe në këtë takim do t’i rikonfirmojnë pozicionet e tyre edhe sa i përket taksës 100 për qind.

“Mirëpo nuk do të ketë asgjë spektakulare, pasi palët edhe në këtë takim do t’i rikonfirmojnë pozicionet e tyre edhe sa i përket taksës, ku pala e Kosovës do të këmbëngul që kjo të mbetët deri sa nuk bindet për një konstruktivitet të Beogradit zyrtar në raport me Kosovën, ndërsa Serbia do të vazhdoj që ta kushtëzoi vazhdimin e dialogut me Kosovën, nëse Prishtina zyrtare tërheq taksën ndaj mallrave serbe”, ka thënë ai.

Haziri ka theksuar se Brukseli në një mënyrë do t’i mbaj palët nën presion, për arsye, sic mendon ai, që mos të ketë ndonjë eskalim të mëtutjeshëm të raporteve Kosovë-Serbi.

“Kështu që marrë në përgjithësi nuk do të ketë vazhdim të dialogut që do të qonte në ndonjë marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë në këtë periudhë, sidomos për faktin së në muajin maj do të mbahen edhe zgjedhjet për parlamentin evropian dhe gjithë fokusi do të përqendrohet në këtë proces, por Brukseli në një farë mënyrë do t’i mbaj palët nën presion për arsye që mos të ketë ndonjë eskalim të mëtutjeshëm të raporteve Kosovë-Serbi, deri pas zgjedhjeve të majit dhe periudhës së formimit të institucioneve të reja të BE-së”, ka thënë analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në intervistë televizionit Pink ka theksuar se “nuk ka fjalë për vazhdim të dialogut përderisa Prishtina nuk heq taksat, duke paralajmëruar se takimi me 29 prill në Berlin do të jetë jashtëzakonisht i vështirë për Serbinë.

Në të njëjtën kohë ka hedhur poshtë spekulimet se në atë takim do të nënshkruaj pavarësinë e Kosovës” shkruan “Novosti” transmeton “Bota Sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat