SBASHK: Çfarë vlere do të kishte greva nëse do të kompensoheshin orët e humbura - Bota Sot
SBASHK: Çfarë vlere do të kishte greva nëse do të kompensoheshin orët e humbura

Aktuale

SBASHK: Çfarë vlere do të kishte greva nëse do të kompensoheshin orët e humbura

Më: 15 prill 2019 Në ora: 19:52
Rrahman Jasharaj

Kanë kaluar dy muaj prej kur Ministria e Arsimit dhe SBASHK’u nuk po e arrijnë një marrëveshje për zëvendësimin e orëve të humbura në grevën trejavëshe të mësimdhënësve.

Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se po të ndodhte një situatë e tillë në ndonjë vend tjetër, orët e humbura nuk do të zëvendësoheshin.

“Nëse do të ishim në cilindo shtet të botës nuk do të flitej fare për kompensimin e orëve të humbura në grevë. Me përmbylljen e grevës do të përmbyllej gjithçka”.

“Ligji për Grevat që është aktual – dhe nuk e kemi bërë ne – nuk e obligon grevistin që të kompensojë ditët dhe orët e humbura në grevë. Ne për herë të parë po mundohemi që sindikatat të jenë vërtet sindikata dhe jo të bëjnë një lojë të caktuar”.

Jasharaj për Klan Kosovën ka thënë se kjo grevë dhe të tjerat që mund të ndodhin në të ardhmen do ta humbin kuptimin nëse orët mësimore kompensohen.

“Çfarë vlere do të kishte kjo grevë ose greva të tjera në të ardhmen po të kompensoheshin orët e humbura?”.

“Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë që ne jemi sindikatë që ka të drejtë t’i mbrojë anëtarët e vet. Ne jemi sindikatë që nuk bëjmë greva kur të na teket”.

“Nga muaji maj i vitit të kaluar bëmë çmos që të arrijmë që koeficientët që ishin tepër të ulët të ngriten. E bëmë tërë atë rrugëtim, bëmë protestë dhe nuk bëri zë askush – nuk pati asnjë hap tutje”.

“E bëmë grevën njëorëshe alarmuese më 28 dhjetor duke i lajmëruar me kohë institucionet që po vjen 14 janari dhe që ne do ta kthejmë në grevë”.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë personale me Ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqin.

Por, cili është kushti që duhet të plotësohet që SBASHK’u të bindet për zbatimin e vendimit të Ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve të humbura në grevë?

“Kryetarët e niveleve komunale e kanë thënë prerazi dhe e kanë ofruar një mundësi. Nëse mblidhen nënshkrimet dhe Parlamenti debaton dhe në fund përmirëson koeficientët e mësimdhënësve të ciklit 1-5 dhe të një pjesë të psikologëve dhe pedagogëve, atëherë ne për hir të kësaj do ta zgjasim vitin shkollor për një javë”.

“Nuk kemi nevojë të bëjmë shantazh, por është dashur të gjejmë një mënyrë që t’i nxisim mësimdhënësit në Kosovë të pranojnë që së paku një javë të zëvendësohet”.

“Po të kishin dashur mësimdhënësit t’i kompensojnë orët, cila është forca ime dhe me çfarë mekanizmi do t’i ndaloja të mos shkojnë? Është kërkesë e tyre dhe institucionet e kanë ditur këtë”.

Ai ka treguar pse marrëveshja që i dha fund grevës në arsim është nënshkruar me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe jo me Ministrin e Arsimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...