Ja sa para premtojnë miliarderët francez për rindërtimin e katedrales

Aktuale

Ja sa para premtojnë miliarderët francez për rindërtimin e katedrales

Më: 16 prill 2019 Në ora: 17:20
Notre Dame

Të paktën 300 milionë euro janë premtuar deri tash për ta rindërtuar katedralen Notre Dame, e cila u dogj pothuajse plotësisht të hënën.

Miliarderi francez, Bernard Arnault, ka premtuar se do t’i dhurojë 200 milionë euro, ndërsa një miliarder tjetër francez, François-Henri Pinault, ka thënë se ai dhe familja e tij do t’i dhurojnë 100 milionë euro për rindërtimin e katedrales së famshme.

Para se të digjej nga zjarri, për katedralen Notre Dame ishte planifikuar një restaurim që do të kushtonte 150 milionë euro dhe që do të zgjaste tri dekada. Autoritetet e Parisit ishin shqetësuar për gjetjen e burimit të këtyre mjeteve. Vlera e përgjithshme e dëmit të shkaktuar nga zjarri nuk dihet ende.

Ndërtimi i katedrales Notre Dame filloi në vitin 1163 dhe kishte zgjatur më shumë se një shekull. Punët për ndërtimin e saj përfunduan zyrtarisht në vitin 1345.

Një profesoreshë e arkitekturës në universitetin “Notre Dame” të Indianas tha se nevojiten pesë deri shtatë vjet që katedrales t’i largohen pjesët e dëmtuara nga zjarri dhe që t’i kthehet pamja që e kishte më parë.

“Ndërtimi i projektit origjinal zgjati më shumë se 100 vjet. Rindërtimi i saj do të kryhet, por një projekt i ngjashëm i këtij niveli në Evropë ka zgjatur deri dhjetë vjet”, tha profesoresha Krupali Krusche.

Ndonëse katedralja ishte e njohur për strukturën e saj të gurtë në pjesën e jashtme, shumica e pjesës së brendshme ishte e ndërtuar nga druri, i cili ndikoi që zjarri të përhapet shpejt, shkruan “ABC News”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat