Ymeri: Rritja e pagës minimale, masa e parë urgjente

Aktuale

Ymeri: Rritja e pagës minimale, masa e parë urgjente

Më: 17 prill 2019 Në ora: 11:18
Visar Ymeri

Kuvendi i Kosovës po zhvillon punimet e seancës në të cilën po diskutohet për rritjen e pagës minimale, diskutim ky në kuadër të një rezolute të paraqitur nga Partia Socialdemokrate, ku ka kërkuar që të rritet urgjentisht paga minimale në 250 euro, për të gjithë të punësuarit.

Visar Ymeri nga PSD, si prezantues i rezolutës, tha se rritja e pagës minimale në 250 është masa e parë urgjente që duhet të merret.

Ymeri: Rritja e pagës minimale në 250 është masa e parë urgjente

“Rritja e pagës minimale në 250 euro është masa e parë urgjente, sipas ligjit paga minimale duhet të ndryshojë çdo vit, propozimi për niveli ne saj duhet të shkojë nga këshilli ekonomiko social tek qeveria, por qeveritë në vazhdimësi i kanë injoruar kërkesat e sindikatave dhe e kanë sabotuar dialogun social, dhe po flas për të gjitha qeveritë që kanë shërbyer në Kosovë në mandate të ndryshme”, tha ai.

Ai tha se kjo rritje duhet t’i përfshijë të gjithë të punësuarit pa dallim moshe a gjinie. Ai shtoi se  parimi pagë e njëjtë për punën e njëjtë, duhet përforcuar.

Ymeri: Të ketë rritje të pagës minimale për secilin të punësuar

“PSD propozon që ndarja moshore që parasheh ligji aktual dhe 130 euro pagë minimale për të rinjtë deri në 35 vjeç të hiqet menjëherë, pra të kemi një pagë minimale për secilin të punësuar pavarësisht çfarë moshe a çfarë gjinie i takon”, tha ai.

Ymeri tha se  rritja ka efekt tek punëtoritë e sektorin privat. Ndërkohë që sipas  tij niveli i ulët i pagës minimale  i godet më shumë gratë.

PSD ka dorëzuar një rezolutë më 4 prill, për të cilën Ymeri tha se është për tu diskutuar dhe dakorduar edhe me grupet e tjera parlamentare.

Ai bëri thirrje që Kuvendi të marrë vendim dhe të kërkojë nga këshilli ekonomik social që ta diskutojë edhe një herë, dhe ta dorëzojë kërkesën në qeveri, përkatësisht të kërkojë nga kryeministri që sa më shpejtë të marrë vendim për rritje të pagës minimale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat