Konjufca paralajmëron ministrin Lluka se mund të përfundojë në burg

Aktuale

Konjufca paralajmëron ministrin Lluka se mund të përfundojë në burg

Më: 17 prill 2019 Në ora: 15:26

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës ka përfunduar seancën ku në interpelancë kishte ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka lidhur me themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës.

Partia Socialdemokrate, e cila e ka thirrur këtë interpelancë, ka paraqitur disa rekomandime në formë, ku Kuvendi do të kërkonte nga Qeveria që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani lidhur me regjistrimin e kësaj ndërmarrje të re energjetike.

PSD tha se Kuvendi duhet të kërkonte nga qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së energjetike të Kosovës, derisa Kuvendi të vendosë për garantim të marrëveshjes komerciale në mes të kompanisë Contur Global dhe Qeverisë së Kosovës për termocentralin Kosova e Re.

Në këtë seancë i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili u bëri thirrje deputetëve që të përkrahin, siç tha ai, krijimin e mundësisë për prodhim të energjisë elektrike në Kosovë.

Ai tha se Kosova nuk duhet të mbetet vetëm konsumuese, dhe të vazhdojë të blejë energji nga Serbia.

Kuvendi nuk arriti të harmonizojë ndonjë rezolutë apo diçka të ngjashme, dhe prezenca e deputetëve në sallë ishte në numër të vogël.

 

***

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se projekti për termocentralin “Kosova e Re” tashmë është më i dëmshëm se projekti për autostradën në drejtim të Shqipërisë, projekt që e ka ndërtuar Bectel-Enca.

Duke qenë kështu, projekti për termocentralin e ri, Konjufca ka thënë se do të mbetet në histori.

“Kosova e Re” do të hyjë në historinë e kontratave të Kosovës së pasluftës si projekti ekonomik më i kriminalizuar”, ka thënë Konjufca, njofton Klan Kosova.

“Edhe kushtet e nënshkrimit të kontratës dhe pasojat afatgjata nuk kanë me qenë në një moment qysh ka qenë të përfunduara me autostradën për Shqipëri. Vjedhjet që kanë mundur të ndodhin janë kryer qaty, kurse pasojat e këtij projekti, në 20 vitet e ardhshme – nëse llogaritet krejt kostoja e projektit – do të dalë 5 miliardë euro”.

“Nëse llogariten shpenzimet që do t’i mbulojë Kosova, plus rritja progresive e energjisë elektrike, në vitin 2043 kostoja do të dalë më së paku 5-6 miliard të paguara nga xhepi i qytetarëve”.

Sipas Konjufcës ndërtuesi i termocentralit, Contour Global, nuk ka asnjë rrezik në projektin e ndërtimit.

“Ende nuk ja kemi nis ta shpenzojmë energjinë dy elemente kushtojnë 150 milionë – interesi i kontratës së paku 70-80 milionë plus kthimi në investim kapital 70-80 milionë poashtu”.

Konjufca e ka paralajmëruar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka se mund të përfundojë në burg.

“Me këtë kontratë është rrezik që dikush të përfundojë në burg. Kujdes ministër! Pyeti ministrat para teje pse nuk e kanë nënshkruar këtë kontratë”.

Image

Bajrami: Qytetarët duhet ta dinë se a do të shtrenjtohet rryma

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se rreth projektit të ndërtimit të termocentralit të Kosovës “Kosova e Re”, Qeveria e Kosovës ka dështuar të jetë transparente e të prezantojë projektin siç duhet.

Në seancën e Kuvendit, ku në interpelancë është ministri i Zhvillimit Ekonomik, deputetja Bajrami ka bërë thirrje për transparencë.

Bajrami: Nuk e dimë koston e projektit

“Pyetja që u parashtrua edhe më herët ishte që edhe nëse bëhet funksional Kosova e Re ajo do të fillojë me prodhim në vitin 2023, çka u dashtë që të themelohet kompania publike e cila do e blejë energjinë elektrike 2018, ju thatë që e keni themeluar qysh më 15 maj të vitit 2018. Ministër, sa herë iu kemi pyetur në komision por ju kemi parë edhe në debate televizive, keni thënë që shifrat nuk janë ende përfundimtare, ne sot si deputetë të Kuvendit, e lerë më qytetarët e Kosovës nuk e dinë cila është kostoja e këtij projekti”, tha Bajrami.

Ajo ka thënë se nuk mund të votojnë nëse nuk e dinë se çka po votojnë, siç tha ajo duhet të sqarohen kostot dhe qytetarët duhet të dinë sa do u shtrenjtohet energjia elektrike.

Ajo tha se kanë nevojë për prezantim të detajuar të kontratës.

***

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se qëllimi i termocentralit Kosova e Re është të plotësojë nevojat për energji elektrike në vend. Në interpelancë ne tij në Kuvendin e Kosovës, Lluka ka thënë se ndërtimi i termocentralit Kosova e Re është i jetik.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se problemi me mungesë të energjisë elektrike lidhet me mungesë të investimeve

Lluka: Ndërrimi i termocentralit Kosova e Re, jetik

“Qëllimi parësor i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re është që të plotësojë nevojat për energji elektrike në vend, të rrisë sigurinë e furnizimit duke krijuar burim të qëndrueshëm të energjisë bazë të mbështetur ekskluzivisht në resurse natyre të vendit me qëllim të mënjanimit të vartësisë nga importi dhe paparshikueshmëria e çmimit në tregun rajonal. Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re përveç që jetik për vendin dhe i domosdoshëm për furnizim të besueshëm me energji elektrike është parakusht i domosdoshëm për nxitje dhe zhvillim ekonomik në vend”, tha ai.

Ai tha se ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, përveç që do të mbulojë pothuajse gjysmën e kërkesës për energji elektrike në Kosovë, do të jetë edhe burim afatgjatë i energjisë termike për ngrohje qendrore.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor 2017 ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

***

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën ku i ftuar në interpelancë është ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, lidhur me themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës.

Partia Socialdemokrate, e cila e ka thirrur këtë interpelancë, ka paraqitur disa rekomandime në formë rezolute, ku Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani lidhur me regjistrimin e kësaj ndërmarrje të re energjetike.

Visar Ymeri nga PSD, prezantoi rekomandimet dhe shpjegoi arsyet e kundërshtimit të themelimit të ndërmarrjes së re energjetike.

Ymeri: Ideja e themelimit të kësaj ndërmarrje publike është që të ndërmjetësohet

“Ideja e  themelimit të kësaj ndërmarrje publike është që të ndërmjetësohet dhe ky ndërmjetësim në tregun e energjisë të shfrytëzohet ose të përdoret si një lloj balancimi i çmimit të lartë të blerjes së megavatit të energjisë elektrike nga termocentrali Kosova e Re, dhe një çmimi të ulët të shitjes të distribuesi dhe furnizuesi  i vetëm, ose operatori i vetëm që ka licencë furnizimi në Republikën e Kosovës, pra te KEDS-i, dhe në këtë drejtim, do të jenë paratë publike, të ndërmarrjes publike ato të cilat do t’i kompensojnë dy lloj fitimesh në sektorin ose segmentet e privatizuara të sistemit të tërësishëm energjetik”, tha ai.

Ai tha se Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria dhe MZhE që të ndërpresë të gjithë veprimet e ndërmarra për regjistrimin e ndërmarrjes energjetike.

Ymeri: Kuvendi të vendosë për marrëveshjen në mes të kompanisë Contur Global dhe Qeverisë së Kosovës

“Kuvendi kërkon nga qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së energjetike të Kosovës derisa Kuvendi të vendosë për garantim të marrëveshjes komerciale në mes të kompanisë Conutur Global dhe Qeverisë së Kosovës për termocentralin Kosova e Re. Dhe, mos të lidhe asnjë marrëveshje kontraktuale derisa Kuvendi të vendosë për miratimin e garancionit dhe në këtë mënyrë të vendosë nëse është dakord me këtë kontratë të nënshkruar nga qeveria e Kosovës apo kërkon nga Qeveria që ta anulojë këtë kontratë dhe të gjej mënyra tjera të përshtatshme për Republikën e Kosovës për investimet në energji dhe për furnizim të duhur dhe bollshëm te qytetarëve dhe ekonomisë sonë me energji”, tha ai.

Ai tha se me punën e saj ndërmarrja publike NKEC do të shkaktojë monopol faktik në tregun e energjisë në Kosovë.

Duke iu referuar kontratës, Ymeri tha se Qeveria e Kosovë me propozimin e ministrit Lluka në mbledhjen 15 maj 2018 kishte marrë vendim për themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës NKEC me 100 përqind aksione nga Qeveria e Kosovës.

Ai shtoi se qeveria është e obliguar të themelojë këtë ndërmarrje për të ndërmjetësuar në mes kompanisë Contur Global dhe gjithë tregut energjetik të Kosovës.

Ai tha që sipas kontratës, ndërmarrja e re ka obligim kontraktual që tërë prodhimin e termocentralit të ri Kosova e Re, ta blejë nga Contur Global , edhe nëse nuk është e nevojshme për konsumin në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat