Sesion informues për bizneset me temën “Rëndësia e pronësisë intelektuale”

Aktuale

Sesion informues për bizneset me temën “Rëndësia e pronësisë intelektuale”

Më: 17 prill 2019 Në ora: 16:08
Foto

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në bashkëpunim me Agjencinë e Pronësisë Industriale – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Zyrën për të Drejtat e Autorit - MKRS dhe Doganën e Kosovës organizuan sesionin informues për bizneset anëtare me temën “Rëndësia e Pronësisë Intelektuale”.

Koordinatorja Qëndresa Ibrahimi falënderoi bizneset për gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij takimi, dhe njëkohësisht përfaqësuesit e institucioneve për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të qenë pranë bizneseve për të i informuar më detajisht lidhur me rëndësinë e pronësisë intelektuale.

Nezir Gashi, drejtor i Agjencisë për Pronësi Industriale në MTI, informoi bizneset lidhur me objektet e pronësisë industriale, duke përfshirë: marka tregtare, patenta, dizajni industrial dhe treguesit gjeografikë, duke dhënë edhe detaje lidhur me procedurat e aplikimit.

Ndërsa, Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në MKRS përgëzoi OAK-në për organizimin e sesionit informues me bizneset. Ai me këtë rast diskutoi për rolin dhe rëndësinë e së drejtës së autorit, duke i informuar bizneset lidhur me të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Sadije Topojani, udhëheqëse e sektorit të Pronësisë Intelektuale në Dogana, tha se janë të angazhuar maksimalisht në zhdukjen e imitimit të produkteve, gjë për të cilën vazhdimisht kanë realizuar disa operacione në mënyrë që bartësit e së drejtës të jenë të mbrojtur me ligj në këtë drejtim.

Bizneset pjesëmarrëse patën mundësi që të diskutojnë përmes adresimit të problemeve me të cilat ato po përballen.

Ndryshe, Oda e Afarizmit të Kosovës përmes organizimeve të tilla është e interesuar të mbajë të informuara bizneset anëtare për tema me rëndësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat