Kurti: Në zgjedhjet e ardhshme populli do të ndahet nga partitë zullumqare

Aktuale

Kurti: Në zgjedhjet e ardhshme populli do të ndahet nga partitë zullumqare

Më: 17 prill 2019 Në ora: 18:48
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur sot i bindur se në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët e Kosovës përmes votës së tyre, do të ndahen përfundimisht nga partitë zullumqare.

Këtë deklaratë i pari i Vetëvendosjes e bëri në vazhdën e takimeve me qytetarë që kësaj radhe u mbajt në qytetin e Pejës, kundër “PANhajnisë”.

Ai adresoi kritika ndaj qeverisë së Kosovës, duke thënë se po investojnë vetëm në projekte që kushtojnë, duke lënë anash gjërat elementare, pasi siç tha ai “këto të fundit kushtojnë lirë, nuk kanë çka me vjedhë”.

Sipas Kurtit, vendi ka nevojë për një qeveri të re, e cila e orienton prodhimtarinë kah ekonomia, që e lidh arsimin me ekonominë dhe që themelon edhe fond sovran edhe bankë zhvillimore.

Kurti: Gjërat elementare në spitale mungojnë sepse kushtojnë lirë

“Kemi nevojë për zgjedhje të reja sepse nevojitet një qeveri e re, e cila e ndal dhe e ndalon korrupsionin. Në zgjedhjet e ardhshme, populli do të ndahet përgjithmonë prej partive të zullumit, që Lëvizja jonë do t’i lodhë në zgjedhje. Si mund të durohet më kjo qeveri, e cila për asfalt shpenzon 10 herë më shumë se sa për Universitetin e Prishtinës, dhe 20 herë më shumë për ujësjellës e kanalizim së bashku. Zyra e kryeministrit shpenzon gati sa dyfishi i dedikuar për Këshillin Prokurorial. Nuk luftohen krimi e korrupsioni kështu. Në spitalet tona mungojnë ampulat, shiringat, mungojnë maskat, mungojnë maskat. A e dini pse mungojnë këto? Sepse kushtojnë lirë, nuk mund të vjedhin shtrenjtë. Po të kishin kushtuar shtrenjtë dorëzat sanitare, maskat mbrojtëse, ampulat e shiringat, me tenderë milionëshe, do t’i kishim pasur spitalet plot me to”, tha ai.

Ai përmendi sërish edhe pazarin territorial me Serbinë, për çka tha se përmbys narracionin ndërkombëtar për Kosovën dhe historinë e saj.

Deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se si Vetëvendosje asnjëherë nuk do të ndalet. Ajo foli për hidrocentralin e Lumbardhit dhe autostradën që pritet të ndërtohet në Dukagjin, ku tha se do të ishte shumë më mirë që të zgjeroheshin rrugët ekzistuese.

Kollçaku porositi se të gjithë duhet të jenë syçelë që të reagojnë gjithmonë duke mos lejuar që para syve të bëhen projekte të tilla që lënë anash prioritetet

Kollçaku: Zotohem se do t’i mbrojmë interesat e regjionit të Pejës

“Unë dëshiroj të zotohem këtu, bashkë me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu siç janë mbrojtur interesat e Republikës të Kosovës, të mbrohen edhe interesat e regjionit të Pejës, që të mos lejojmë që të jetësohen projekte të dëmshme, dhe që taksat tona, ky buxhet, të orientohen aty ku janë prioritet tona”, tha ai.

Kryetari degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Bashkim Lajçi tha se Kosova duhet të çlirohet nga hajnia dhe duhet të pavarësohet nga korrupsioni.

Sipas tij, hajnia ka ndërprerë lidhjen ndërmjet historisë tonë për pavarësi dhe rinisë tonë, që po largohet nga vendi. Historia ruhet dhe respektohet për të ardhmen e vendit, kurse hajnia e do vetëm të tashmen

Lajçi: Jemi për zgjedhje të reja

“Ne jemi për zgjedhje të reja. Për një të tashme në të cilën jehon dinjitetshëm e shkuara dhe e cila i paraprinë të ardhmes. Kosova duhet çliruar edhe nga hajnia, Kosova duhet pavarësuar edhe nga korrupsioni. Hajnia nuk është e vetmja mënyrë për të qeverisur vendin, hajnia është diçka që bëjmë kur s’dimë të qeverisim, është përfundimi i atyre që nuk e kanë më besimin tek Kosova, nuk kanë më dashuri për këtë popull dhe rrjedhimisht nuk kanë më besim as tek vetja. Ne edhe kemi besim tek Kosova, edhe dimë të qeverisim, edhe e duam këtë popull, edhe kemi besim tek vetja”, tha ai.

Kurse, Reshat Nurboja, nga Alternativa, bëri të ditur se si subjekt politik e mbështesin fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër “PANhajnisë”.  

Nurboja: Alternativa mbështet në mënyrë aktive protestën e VV-së

“Alternativa, jo vetëm që e përkrah dhe e mbështet këtë organizim të Vetëvendosjes kundër ‘PANhajnisë’, por njëkohësisht ka vendosur që të jetë pjesë aktive e kësaj proteste, me qëllim që të ndihmohet që ky kundërshtim të kulmojë në atë që Alternativa e ka përcaktim programor, mision njerëzor e partiak”, u shpreh ai.

Ndryshe, në këtë tubim të Lëvizjes Vetëvendosje, qytetarët e Pejës patën rastin të parashtrojnë pyetje për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat