OAK arrin marrëveshje me Ministrinë e Bujqësisë, sot në Qeveri ligji për miniera dhe minerale - Bota Sot
OAK arrin marrëveshje me Ministrinë e Bujqësisë, sot në Qeveri ligji për miniera dhe minerale

Aktuale

OAK arrin marrëveshje me Ministrinë e Bujqësisë, sot në Qeveri ligji për miniera dhe minerale

Më: 18 prill 2019 Në ora: 12:53
Dokument

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do ta dërgojë sot në Qeveri për miratim ligjin për miniera dhe minerale. Marrëveshja për dërgimin e këtij ligji për miratim është arritur pas takimit që ministrja e Bujqësisë Dijana Zhiviq ka pasur me Odën e Afarizmit të Kosovës.

Përveç kësaj, nga ky takim ministrja e Bujqësisë ka premtuar se deri më 2 maj të këtij viti do të bëjë ndryshimin e udhëzimeve administrative që OAK vlerëson se po pengojnë të bërit biznes për sektorin minerar.

Kërkesë e Odës së Afarizmit të Kosovës dhe bizneseve anëtare është të ndryshohen Udhëzimet Administrative ashtu që hapësira të ipet në shfrytëzim për një periudhë më të gjatë kohore dhe të mos kufizohet sipërfaqja. Ndër të tjera, u kërkua edhe shfuqizimi i vendimit për ndalim të ndërrimit të përkohshëm të pasurisë së paluajtshme dhe ulja e tarifës prej 2 mijë euro për hektar në 50 euro ashtu siç është për kullosa.

Pas takimit ka folur Hysni Zogaj, anëtar i Bordit në OAK, i cili ka thënë se pas 10 vitesh nga sirtarët po nxirret ligji që do të ndikojë pozitivisht në sektorin minerar.

Ai bëri të ditur se kanë marrë premtime nga ministrja Zhiviq që kërkesat e tyre do të plotësohen.

Zogaj:  Sot premtoi që ligjin  do e dërgojë  në Qeveri

Video

“Nga ky takim doli që ministrja pas 10 vitesh e nxorri nga sirtari i Ministrisë ligjin për bujqësi që është qe 10 vjet duke ndenjur në sirtarin e bujqësisë, që është duke e penguar zhvillimin ekonomik edhe në bujqësi edhe në miniera dhe minerale. Kështu që ky dikaster thotë që presin zhvillim të vendit, ky është duke e bërë mos zhvillimin e vendit duke marrë parasysh se në këtë Ministri janë shumë udhëzime administrative që janë duke e penguar edhe bujqësinë edhe minierat dhe mineralet. Si për shembull udhëzimi administrativ për 5 hektarë dhe për 5 vite dhe 2 mijë euro për hektarë për minierat dhe mineralet, do të thotë është e pamundur që të gjithë këta biznesmenë të operojnë në mënyrë normale që ta nxjerrin kafshatën e gojës, do të thotë nuk kanë mundësi si kompani të ekzistojnë. Morëm premtimin që deri me 2 maj ministrja do të bëjë ndryshimin e udhëzimit administrativ, tha se do ta formojë një grup të punës që të gjitha udhëzimet administrative që janë kundër bizneseve të hiqen. A ligjin sot premtoi që do ta dërgojë në Qeveri”, tha Zogaj.

Ai tha se sot para Ministrisë kanë ardhur një numër i bizneseve për ta paraqitur pakënaqësitë e tyre, derisa tha se kërkesë e tyre e vetme është që të gjitha udhëzimet administrative që bien ndesh me ligjin të hiqen.

Zogaj tha se ministrja e Bujqësisë Dijana Zhiviq ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojnë me OAK që të mënjanojnë të gjitha pengesat me të cilat përballen bizneset e këtij sektori.

Ndërkaq, në rast se deri më datën 2 maj nuk bëhet shfuqizimi i udhëzimeve administrative që OAK vlerëson se po pengojnë të bërit biznes ai tha se do të marrin masa, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e protestave.

Zogaj: Nëse nuk bëhet ndryshimi i udhëzimeve atëherë do të ndërmarrim masa

Video

“Atëherë mendoj që këta biznesmenë, këto kompani që janë këtu ne si Odë e Afarizmit do të konsultohemi mirë e mirë me ta dhe do të marrim vendime për hapat e mëtutjeshëm. Por, gjithsesi do të ndryshohen këto udhëzime administrative që bien ndesh me zhvillimin e vendit. Nuk jemi të ndalshëm, por do të shkojmë deri në fund kauzën që udhëzimet administrative që po e pengojnë zhvillimin e vendit. Të gjithë politikanët e kanë gojën plot zhvillim ekonomik, zhvillimi ekonomik nuk po ndodh, kështu që ne do të mundohemi maksimalisht që ato që i premtojë që t’i mbajnë”, tha Zogaj.

 Oda e Afarizmit të Kosovës edhe më herët ka zhvilluar takim me ministren e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ku kanë paraqitur kërkesat e bizneseve të sektorit minerar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...