VV i përgjigjet Haradinajt për besimin e qytetarëve, flasin për rrëzimin e qeverisë

Aktuale

VV i përgjigjet Haradinajt për besimin e qytetarëve, flasin për rrëzimin e qeverisë

Më: 18 prill 2019 Në ora: 20:47
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

“AAK e ka tejkaluar Vetëvendosjen me besim në popull. Janë Informata të subjekteve relevante ndërkombëtare. Është më mirë që Vetëvendosje të targetojë ku janë defektet por jo të kalojë me kritika në shabllon. Kështu s’mund ta rrisë besimin”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se e din edhe defektin e rënies së besimit në partinë që drejton Albin Kurti.

“Ju ka rënë besimi, zotit Kurtit realisht. Nuk kam besuar, arsyeja më është thënë se është mungesa e folësve që dikur i kanë paraqitur temat. Kryesisht sot te ta ka nervozizëm dhe militantizëm, që nuk jepin efekte”, ka përfunduar Haradinaj.

Ndërsa ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku.

Ajo në një prononcim për lajmi.net është shprehur se përgjigja më e mirë ndaj kësaj deklarate të Haradinajt janë tubimet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Mendoj se përgjigja më e mirë ndaj kësaj deklarate të Haradinajt janë tubimet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje të cilat tregojnë se besimi i qytetarëve tek Lëvizja Vetëvendosje është shumë i madh”, tha Kollçaku për lajmi.net.

Deputetja e LVV e pyetur në lidhje me bashkëpunimin me partitë e tjera opozitare është shprehur se është normal të ketë bashkëpunim opozitar ndërmjet partive duke përmendur edhe tubimet e Vetëvendosjes si një shenjë që qytetarët e kanë humbur besimin në këtë qeveri.

E pyetur për hapa të tjerë më konkret drejt kauzës së Vetëvendosjes për rrëzim të qeverisë dhe rreth kohës se kur mund të ndodh kjo, Kollçaku është shprehur se sa më shpejt që ndodh kjo do të jetë më mirë.

Kollçaku gjithashtu ka shtuar se kjo qeveri është e brishtë dhe gjithashtu po dështon edhe në Kuvend të kaloj ligje për arsye të numrit të vogël të deputetëve që i ka koalicioni.

Në fund, deputetja e Vetëvendosjes ka përsëritur se tubimet e Vetëvendosjes janë një hap drejt qëllimit të tyre për rrëzim të qeverisë dhe tregues se besimi i qytetarëve tek Vetëvendosja nuk ka rënë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat