Dëshmori Asllan Dinaj nderohet me urdhrin “Hero i Kosovës”

Aktuale

Dëshmori Asllan Dinaj nderohet me urdhrin “Hero i Kosovës”

Më: 19 prill 2019 Në ora: 07:40
Asllan Dinaj

Me organizim të Komunës së Gjakovës, mbrëmë është mbajtur një akademi përkujtimore, në nderim të dëshmorit Asllan Dinaj, i cili po në këtë akademi, me vendim të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, është dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Në emër të Komunës së Gjakovës, ka folur kryetari i saj, Ardian Gjini, i cili duke e vlerësuar lartë kontributin dhe sakrificën sublime të heroit Asllan Dinaj, ka thënë se figura të tilla nuk do të harrohen asnjëherë dhe do të mbesin përgjithmonë në kujtesën e popullit dhe të bashkëluftëtarëve të tij.

Kontributi dhe sakrifica e heroit Asllan Dinaj është vlerësuar lartë edhe nga ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta si dhe bashkëluftëtari dhe miku i heroit Asllan Dinaj, Fazli Hoxha.

Image

Nga ana tjetër, në emër të familjes së heroit, ka folur vëllai i tij, Luan Dinaj, i cili i ka falënderuar të gjithë ata që po e kujtojnë dhe nuk po e harrojnë asnjëherë heroin.

Ndryshe, Asllan Dinaj, është radhitur në moshë të re përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke marrë pjesë në shumë beteja në pjesë të ndryshme të Rrafshit të Dukagjinit.

Ai ka rënë heroikisht në muajin prill të vitit 1999, teksa po tentonte të kalonte kufirin shqiptaro – shqiptar, me mision të dërgimit të të plagosurve në shërim dhe rikthimit të më pastajmë për të sjellë armë për nevojat e luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat