Veseli: Njerëzit e pangopur duhet t’i dërgojmë në burg, ata që kanë ide duhet t’i përkrahim

Aktuale

Veseli: Njerëzit e pangopur duhet t’i dërgojmë në burg, ata që kanë ide duhet t’i përkrahim

Më: 19 prill 2019 Në ora: 13:44
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se njerëzit e pangopur duhet të ndalen, duhet të denoncohen dhe të dërgohen në burg, derisa njerëzit që kanë ide, kreativitet dhe dashuri për vendin duhet të përkrahen.

Ai këto komente i ka bërë gjatë lansimit të “Fondit Rinor” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku edhe është bërë shpërndarja e kontratave për 21 përfituesit e granteve nga ky fond, i cili fond ka mbi 1 milionë euro buxhet.

Kreu i Kuvendit ka thënë se target i tyre janë të rinjtë për faktin se janë aseti më i veçantë dhe më i jashtëzakonshëm, për aq sa ka thënë që orientim i tyre është edhe ekonomia e lirë e tregut, ndërmarrësia dhe inovatorët e rinj.

Ai tha se e vetmja shpresë për një ekonomi dhe shoqëri që të ketë një prosperitet, zhvillim, transformim në një shoqëri moderne është përmes njerëzve të rinj, inovativ dhe ndërmarrësve të cilët mund të zhvillojnë vendin.

Veseli tha se institucionet e kanë  për obligim që t’i përkrahin njerëzit që kanë ide, të cilët janë inovator dhe ndërmarrësit të cilët mund të krijojnë të mira materiale dhe mund të krijojnë punësim

Veseli: Njerëzit e pangopur duhet ti dërgojmë në burg

“Kosova jonë vetëm para dy dekadave, në këtë moment kur po flasim nëse e përkujtojmë këtu ka pasur një tendencë për zhdukje fizike tërë qenies tonë. Do të thotë ka qenë një shkatërrim total i ekonomisë tonë, ekonomisë industriale, po në të njëjtën kohë edhe i ekonomisë sonë familjare. Jemi duke ecur në drejtimin e duhur, ka shumë gjëra të cilat duhet të bëhen më mirë, ato të cilat duhet të bëhen më mirë duhet vet t’i bëjmë më mirë, në rend të parë ta ndalim egon e cila në një moment të caktuar, një kategori e caktuar të qytetarëve tanë, përkatësisht të bartësve do të thosha më konkretisht të cilët kanë pushtet i ka kapluar. E këtë mund ta bëjmë të gjithë bashkërisht, ju së bashku më ne, për faktin se kjo nuk ndahet, kemi njerëz të cilët janë të ngopur dhe të pangopur, ata të cilët janë të pangopur duhet me ua tregu vendin, duhet me i denoncua dhe duhet me i dërgua në burg. Ata të c ilët kanë ide, kanë kreativitet, kanë zhvillim, kanë dashuri për këtë vend dhe për perspektivën e qytetarëve, por jo me manipulua në të keqën tonë të përbashkët, atyre duhet t’iu japim perspektivë”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit ka thënë se vendi ka resurse humane të jashtëzakonshme, aq sa resurset natyrore, por që sipas tij nuk po shfrytëzohen.

Veseli: Resurset natyrore i kemi as minimalisht të shfrytëzuara deri më tani

“Kemi arritur disa suksese të cilat janë të jashtëzakonshme për rrethanat në të cilat kemi qenë, por i kemi resurset e jashtëzakonshme për të ecur përpara, për të shkuar atje ku dëshirojmë, e ajo është Evropa Perëndimore, Bashkimi Evropian dhe integrimi në NATO. Resurset humane i kemi të jashtëzakonshme për aq sa resurset natyrore i kemi as minimalisht të shfrytëzuara deri më tani, ato janë këtu po na presin, kjo varet krejt prej neve sa do të jemi ne kreativ, sa do të jemi ne inovator, sa do të jemi ne ndërmarrës ta bëjmë këtë transformim të shtetit tonë në mënyrë që të krijojmë perspektivë për këtë gjeneratë të rinjve, për vet ne, por edhe për gjeneratat që po rriten në Kosovë. Kemi mundësi, por duhet të kemi  më shumë besim në shtet, në vetvete dhe ka shumë potenciale të cilat duhet të shfrytëzohen për aq sa edhe duhet të ndalen pjesën deformative e cila mund të ketë qasje, ose mund të ketë mundësi për të keqpërdorur mbi të mirën tonë të përbashkët”, tha Veseli.

Për “Fondin Rinor” ka folur ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i cili ka thënë se të rinjve po u japin një program të ri i cili i përgatit të gjithë të rinjtë e vendit për të pasur biznese të reja dhe në të njëjtën kohë për të qenë të pavarur në krijimin e ndërmarrjeve të vogla.

Gashi ka bërë të ditur se “Fondi Rinor” ka një buxhet rreth 1 milionë euro dhe objektivat e këtij programi janë krijimi i vendeve të punës përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë ekomomike dhe trajnimeve për ndërmarrësit e rinj, zhvillimi i kapaciteteve profesionale të të rinjve në përputhje me nevojat e tregut të punës, promovimi i ndërmarrësisë tek të rinjtë dhe mbështetja e nismave për punë vullnetare me bazë  kontributin për punësimin e të rinjve.

Gashi: Fondi Rinor ka një buxhet rreth 1 milionë euro

“Ky program që ne po e quajmë Fondi Rinor ka një buxhet rreth 1 milionë euro i cili shpërndahet në disa komponentë, por përfundimisht të gjithë e kanë një qëllim, një mision të vetëm që sa më shumë të ri të jenë përfitues nga programet e MKRS-së, përkatësisht të departamentit të rinisë i cili vepron në kuadër të ministrisë... 3.29 E dimë që në debatet dhe në takimet e shumta ka qenë një brengë e të rinjve në Kosovë që ligji aktual për rini kufizon moshën rinore nga 15 në 24. Siç e dini ne tash kemi draftuar ligjin e ri për rininë, i cili moshën rinore e përcakton në një fazë tjetër  nga 15 deri në 29, sepse kjo ka qenë kërkesa e të rinjve duke pasur parasysh që në Kosovë pjesa më e madhe e popullatës i takojnë kësaj moshe prej 15 deri 29”, tha ai.

Ai ka treguar se në fund të vitit të kaluar kanë pasur një pilot projekt me 70 të rinj të cilët shumica kanë hapur ndërmarrje të vogla dhe se po e zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Gashi: Buxheti i MKRS-së nga 21 milionë sa e kemi gjetur na ka shkuar në 45 milionë

“Ministria nuk e ka pasur një fond të tillë dhe nuk e ka pasur një buxhet të tillë në të kaluarën dhe jam shumë i lumtur që sot që buxheti i MKRS-së nga 21 milionë sa e kemi gjetur na ka shkuar në 45 milionë, që kemi një rritje rreth 110 përqind vetëm për 15 muaj sa jam në krye të kësaj ministrie. Besoj që më këtë mbështetje të kryetarit Veseli dhe të mekanizmave të tjerë ne do të shkojmë duke e rritur buxhetin, por ajo që është e rëndësishme sot e kemi riorientuar dhe ristrukturua të gjithë programin e MKRS-së për të rinjtë. Nuk ka financim në Kosovë më të 200 apo 300 organizatave me nga një mijë euro, të cilat nuk kanë ditur as ku shkojnë dhe cili është impakti i tyre, por sot jemi fokusuar në organizata të profilizuara, të fuqishme të cilat i ndihmojnë të rinjtë edhe për punësim po edhe për zhvillim të aktiviteteve tjera”, tha Gashi.

Ai tha se do ta kenë një mbikëqyrje të rreptë për të gjitha organizatat, pasi sipas tij dëshirojnë që të gjitha këto mjete të shkojnë në vendin e duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat