Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se duhet të bëhet cdo gjë të nevojshme për integrimin e personave të kthyer nga lufta në Siri.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Vendimin për të pranuar kthimin e tyre në Kosovë duhet parë si nevojë dhe obligim për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në tejkalimin e situatave të krijuara nga terrorizmi dhe radikalizmit”.
Postimi i plotë:
Institucionet tona, dhe e gjithë shoqëria, duhet të bëjnë çdo gjë të nevojshme për integrimin e personave të kthyer nga lufta në Siri, shumica e të cilëve gra e fëmijë. Si institucione nuk kemi përvojë në këtë drejtim dhe kjo do të jetë sfidë e vështirë. Na duhet përkushtim dhe angazhim i institucioneve, komunitetit dhe familjarëve, në mënyrë që integrimi i këtyre personave të jetë më i lehtë.
Vendimin për të pranuar kthimin e tyre në Kosovë duhet parë si nevojë dhe obligim për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në tejkalimin e situatave të krijuara nga terrorizmi dhe radikalizmat. Për të kthyerit, fëmijët dhe gratë në veçanti, e kemi obligim si shoqëri që të ofrojmë një ardhmëri më të mirë, paqe e prosperitet dhe vlera të dëshmuar evro-perëndimore që i aspirojmë të gjithë.