Forca të shtuara të policisë në vendin ku po qëndrojnë shtetasit e Kosovës të kthyer nga Siria

Aktuale

Forca të shtuara të policisë në vendin ku po qëndrojnë shtetasit e Kosovës të kthyer nga Siria

Më: 21 prill 2019 Në ora: 09:24
Forca të shtuara të policisë në vendin ku po qëndrojnë shtetasit e Kosovës të kthyer nga Siria

Numër i madh i forcave të Policisë së Kosovës janë parë mëngjesin e sotëm në fshatin Vranidoll të Prishtinës, vend ku edhe po qëndrojnë 110 shtetasit e Kosovës të kthyer nga Siria

Forcat e policisë përveç që janë duke qëndruar brenda rrethojave të Qendrës për Mbajtjen e të Huajve në Vranidoll, janë parë edhe skaje rrugës në magjistralen Prishtinë- Podujevë për të përcjellë nga afër të sapo kthyerit nga Siria.E, edhe oborri i cili është i “mbushur” me fëmijë të të kthyerave, është i mbushur edhe me vetura e forca të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Ndryshe, të premten mbrëma janë vendosur 110 kosovarët e kthyer nga Siria. Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj , të shtunën në një konferencë të përbashkët me ministrin e drejtësisë, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se në mesin e personave të kthyer janë edhe katër luftëtarë.

“Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, tha Qalaj.

Ndërkohë ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri tha se është punuar disa muaj për kthimin e kosovarëve të cilët ishin në zonën e konfliktit në Siri.Ministri Tahiri tha se kthimi i kosovarëve nga Siria është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas ministrit Tahiri, gratë dhe fëmijët të cilët janë kthyer kanë qenë viktima të mashtrimit dhe keqtrajtimit.

“Këta qytetarë, gra dhe fëmijë kanë qenë viktima të papërgjegjësisë së personave, që për interesa çfarëdo qofshin i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre duke i lënë më pasoja të mëdha, në raste të caktuara edhe viktima. Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit e kanë vendin në shkolla për t’u edukuar mbi të ardhmën e tyre”, deklaroi ministri Tahiri.

Drejtori i Policisë së Kosovës, bëri të ditur se në zonën e konfliktit ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.Katër nga 110 personat e kthyer nga Siria e që janë në mbajtje për shkak të dyshimit se kanë qenë të rreshtuar krah grupit militant, Shteti Islamik, janë hetuar edhe më herët nga Prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat