Ushtria amerikane e konfirmon se me aeroplanët e saj solli 110 shtetasit e Kosovës nga Siria - Bota Sot
Ushtria amerikane e konfirmon se me aeroplanët e saj solli 110 shtetasit e Kosovës nga Siria

Aktuale

Ushtria amerikane e konfirmon se me aeroplanët e saj solli 110 shtetasit e Kosovës nga Siria

Më: 22 prill 2019 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, Sean Robertson, ka thënë se asetet amerikane janë përdorur për ta mbështetur operacionin e kthimit të 110 shtetasve të Kosovës nga Siria.

“Asetet e Shteteve të Bashkuara janë përdorur për ta mbështetur operacionin e kthimit të 110 kosovarëve nga Siria. Shtetet e Bashkuara në asnjë moment nuk e kanë marrë përgjegjësinë për të ndaluarit e dyshuar si luftëtarë të huaj terroristë”, tha Robertson, duke refuzuar të japë hollësi të tjera për arsye sigurie.

Më shumë se 300 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri nga viti 2012 dhe 70 burra që luftuan si pjesëtarë e grupeve terroriste janë vrarë.

Autoritetet e Kosovës njoftuan se në mesin e personave të kthyer janë edhe katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, nëntë prej të cilëve nuk e kanë njërin prind.

Katër luftëtarët u arrestuan menjëherë dhe prokuroi i shtetit njoftoi se ndaj tyre do të ngrihen aktakuza brenda një kohe të shkurtër.

Policia e Kosovës tha se 30 luftëtarë nga Kosova, 49 gra dhe tetë fëmijë ende mbesin në zonën e konfliktit. “Nuk do të ndalemi derisa ta kthejmë secilin qytetar të Republikës së Kosovës në vendin e tij dhe çdokush që ka kryer ndonjë krim ose që ka qenë pjesë e këtyre organizatave terroriste do të përballet me drejtësinë”, tha ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri.

Agjencitë lokale dhe ndërkombëtare të sigurisë kishin paralajmëruar më parë për rrezikun që përbën kthimi i luftëtarëve në atdheun e tyre. Në vitin 2015, Kosova e miratoi ligjin që e bëri pjesëmarrjen në konflikte të huaja vepër të dënueshme me burgim maksimal prej 15 vjetësh.

Shtetet e Bashkuara e kanë vlerësuar pozitivisht kthimin e shtetasve të Kosovës nga Siria dhe kanë bërë thirrje që edhe shtetet tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...