Haradinaj: Krimet e masakrës së Tivarit u mohuan

Aktuale

Haradinaj: Krimet e masakrës së Tivarit u mohuan

Më: 23 prill 2019 Në ora: 12:47
Ramush Haradinaj

Në 74- vjetorin e Masakrës së Tivarit, nën përkujdesjen e presidentit Hashim Thaçi, është organizuar akademi përkujtimore.

Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se masakra e Tivarit është ngjarja më e dhimbshme gjatë tërë këtyre viteve,  duke shtuar se edhe sot e kësaj dite burrat e vrarë në këtë masakër nuk nderohen e as nuk kanë gjetur drejtësinë.

"Dje janë mbushur 74 vjet nga masakra e Tivarit. Pse duhet të shënohet kjo ngjarje tragjike? Sepse ky krim makabër është mohuar dhe këta njerëz dhe pasardhësit e tyre kurrë nuk kanë marrë drejtësinë. Djemtë dhe burrat tanë që u masakruan në Tivar as sot nuk nderohen edhe pas 74 viteve. 3447 burra janë vrarë në këtë masakër. Motivi i kësaj masakre është spastrimi etnik", tha Haradinaj.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, tha se masakra e Tivarit është tragjedia më e madhe dhe vazhdimësi e krimeve të Serbisë.

"Është njëra nga tragjeditë më të përgjakshme e që ka edhe përmasa ballkanike. Ka qenë një vazhdimësi e krimeve të Serbisë prej luftërave ballkanike, por edhe një vazhdimësi çfarë ka ndodhur në Kosovë. Masakra e Tivarit është një paralajmërim se si një padrejtësi e vjetër po zëvendësohej me një padrejtësi të re", ka thënë Hoxhaj.

Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë tha se masakra e Tivarit ishte e qëllimshme.

“Masakra e Tivarit nuk ishte një incident, kishte qartazi qëllimin. E vetmja mënyrë për t'u përballur me shqiptarët ishte të veprohet me brutalitet. Ende nuk është hedhur dritë ndaj kësaj ngjarje, nuk janë identifikuar as viktimat", tha Syla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat