Nga java e ardhshme nis intervistimi i dëshmitarëve lidhur me hetimin për PTK-në

Aktuale

Nga java e ardhshme nis intervistimi i dëshmitarëve lidhur me hetimin për PTK-në

Më: 23 prill 2019 Në ora: 13:45
Foto ilustrim

Komisioni Hetimor Parlamentar ka vendosur të ftojë për të enjten në raportim kryeshefin ekzekutiv dhe kryesuesin e Bordit të Telekomit për të pasqyruar gjendjen në këtë ndërmarrje dhe po ashtu vendosën që me një shkresë zyrtare të kërkojnë nga Telekomi pezullimin e çdo aktiviteti për kontratën e re me “Z-mobil”.

Kryesuesi i Komisionit Visar Ymeri theksoi se menaxhmenti duhet të raportojë këtë javë për gjendjen në Telekom, por jo si dëshmitar, derisa paralajmëroi se  nga java e ardhshme do të fillohet me intervistimin e dëshmitarëve, të cilët janë të kategorizuar lidhur me hetimin për Valën dhe PTK-në.

Sipas tij, shumica e intervistave me dëshmitarë do ta mbahen në maj dhe qershor, ndërkohë që propozoi dy mënyra për hetimin e PTK-së.

Ymeri: Me ish-kryeministra nuk mund të jetë hetimi i thellë për PTK-në

“Gjëja më problematike dhe më e rëndësishme ka të bëjë kontrata me “Z-mobile”. Pra, më mirë kishte me qenë me i intervistuar njerëzit që kanë qenë të përfshirë në këtë kontratë dhe pastaj të vazhdojmë me të tjerët. Janë dy mënyra se qysh mundemi me kryer këtë hetim, ose sipas çështjeve, ose sipas përgjegjësive dhe rëndësisë që i kanë pasur zyrtarët në periudhat caktuara. Mendoj që më shumë kishim mundur me hetuar nëse i ndajmë në çështje se sa me ftuar p.sh. njërin prej ish-kryeministrave ose ish-ministrave dhe ish-drejtorëve ekzekutiv dhe me pyetur për secilën çështje. Prej përvojës që kam unë zakonisht kur vijnë dhe paraqiten në përgjithësi për shkak të shumësisë së pyetjeve, i mundësohet bashkëbiseduesit me i zgjedhë përgjigjet. Ndërsa, nëse fokusohesh në një çështje mundesh me nxjerrë më shumë”, theksoi Ymeri.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan që në listë të futen për dëshmitarë edhe përfaqësuesit politik dhe menaxhmenti, që mund të jenë ish-kryeministra, ish-ministra gjatë periudhës së skandaleve që kanë ndodhur në këtë kompani.

Deputeti Armend Zemaj, tha se problemi në kompanitë publike ka filluar që nga shpallja e pavarësisë, kur ka filluar bartja e përgjegjësive te vendorët.

Zemaj: PTK që nga pavarësia nisi degradimin

“Problemi themeltar është pas Pavarësisë kur Kosova i ka marrë kompetencat edhe mbi ndërmarrjet publike. Pyetja ime vazhdon, se kush e ndali privatizimin e PTK-së, si dhe për cilat interesa. Si dhe kush i ndali investimet në PTK për mbërri nderi te ky degradim, ndërsa i rriti punësimet? Mendojë se problemi është politik, atëherë kanë lind kontratat e këqija”, tha Zemaj.

Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar Komisioni Hetimor që të kërkohet nga menaxhmenti i Telekomit që mos të ripërtërihet kontrata me Z-Mobile, meqenëse është edhe kërkesë e punëtorëve dhe sindikatës së kësaj kompanie.

Haxhiu: Komisioni ta ndalojë ripërtëritjen e kontratës me “Z-mobile”

“Komisioni Hetimor duhet ta marrë këtë vendim, sepse kontrata me “Z-mobile” është objekt i këtij Komisioni hetimor. Andaj, ka bazë dhe dyshim për abuzime. Konsiderojmë që duhet të ndërpritet çdo veprim i mëtejmë dhe ne si Komision duhet ta njoftojmë edhe Qeverinë, menaxhmentin dhe Bordin. Nëse (menaxhmenti) vazhdojnë me ripërtëritjen e një kontrate që është jashtëzakonisht e dëmshme, që e ka sjellë Telekomin në këtë gjendje, por ka edhe të tjera të dëmshme, por kjo ka qenë kontrata që ka filluar degradimin në atë kohë të Postës”, tha Haxhiu.

Kryesuesi i Komisionit Ymeri theksoi se kontrata me Z-Mobile duhet të ndërpritet, përndryshe komisioni kot e heton kontratën e nënshkruar më parë.

Ymeri: Nëse ripërtërihet kontrata me “Z-mobile”, kot e hetojmë kontratën e kaluar

“Ideja është sikur me çështjen e punësimeve të akordohemi dhe ta dërgojmë një letër menaxhmentit dhe njerëzve përgjegjës të cilët janë përfshirë në ri-negocimin e kontratës me “Z-mobile”, në të cilën kërkojmë që të suspendohet ky proces derisa të përfundojë punën Komisioni hetimor, duke pasur parasysh që kontrata me “Z-mobile” është një prej çështjeve thelbësore. Për mendimin tim, nëse kjo kontratë ripërtërihet dhe nënshkruhet për kush e di sa vite, atëherë  kot konstatojmë për dëmin që ka shkaktuar ajo kontratë”, deklaroi Ymeri.

Edhe Bekim Haxhiu ka kërkuar që menaxhmenti aktual i Telekomit duhet të tregohet i kujdesshëm për vazhdimin e kontratës me “Z-mobile”.

Haxhiu: Menaxhmenti të jenë të kujdesshëm për kontratën e re

“Ne mund t’i dërgojmë një letër krye shefit aktual që një prej objektivave tona si Komision hetimor për gjendjen në Postë dhe Valë, është edhe kontrata me “Z-mobile”. Dhe që të jenë të kujdesshëm në hapat që ata ndërmarrin, që mos të jenë edhe ata pastaj pjesë e ndonjë procesi hetimor”, Haxhiu. 

Ndërsa, deputetja Blerta Deliu Kodra tha se Komisioni hetimor duhet të veprojë në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive për çdo veprim. Ajo mendon se duhet të ketë një hetim të drejtë.

Deliu- Kodra: Komisioni të veprojë konform përgjegjësive dhe kompetencave

“Ne e kemi një reagim të sindikatës për të cilën po diskutojmë e në anën tjetër ky Komision mori vendim që të enjten ta kemi menaxhmentin dhe bordin, pa u ngutur për këtë. Unë po propozoj të pyesim menaxhmentin se a qëndrojnë këto argumente, në mënyrë që ta marrim vendimin brenda përgjegjësive që ka ky komision. Të gjithë jemi për një hetim të drejtë”, tha Deliu-Kodra.

Anëtarët e Komisionit Hetimor vendosën që me një shkresë zyrtare të kërkojnë nga menaxhmenti i Telekomit, pezullimin e çdo aktiviteti për kontratën e re me “Z-mobil”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat