Përkujtohet masakra e Tivarit

Aktuale

Përkujtohet masakra e Tivarit

Më: 23 prill 2019 Në ora: 14:09
Ramush Haradinaj

Sot në një akademi është përkujtuar njëra prej tragjedive më të përgjakshme dhe më të dhimbshme, ku nga forcat jugosllave në Tivar të Malit të Zi u vranë dhe u masakruan mijëra shqiptarë, ngjarje kjo e cila edhe pas 74 vjetësh vazhdon të mbetet e pandriçuar si duhet.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se pa u ndëshkuar kryesit e këtij krimi makabër, kjo ngjarje rrezikon të përsëritet, andaj porositi institucionet e shtetit se jo vetëm që duhet të diskutojnë, por edhe të ndërmarrin veprime për të zbuluar të vërtetën.

Haradinaj: Ky krim makabër është mohuar

“Pse duhet të shënohet kjo ditë tragjike dhe pse duhet të ndërmarrim veprimet e duhura si institucionet e shtetit, jo vetëm të diskutojmë, por po ashtu të nxjerrim dritë të drejtën? Sepse, ky krim makabër është mohuar gjatë, dhe këta njerëz e pasardhësit e tyre kurrë nuk e kanë marrë një përgjigje pse u vranë. Dhe sot kur ne kujtojmë masakrat serbe të luftës së fundit me të njëjtin diskurs po mohohen krimet nga shteti serb. E kjo nuk i kontribuon normalizimit e pajtimit. Burrat tanë që u masakruan në Tivar as sot nuk nderohen, si martirë, dhe nuk janë rehabilituar dhe e drejta e tyre nuk është vendosur në vend, pavarësisht se kanë kaluar 74 vjet”, tha ai.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se masakra e Tivarit është tragjedia më e madhe dhe vazhdimësi e krimeve të Serbisë.

Hoxhaj: Masakra e Tivarit, vazhdimësi e krimeve të Serbisë

“Është njëra prej tragjedive më të përgjakshme, më të dhimbshme, për shqiptarët e Kosovës, por një tragjedi që ka edhe përmasa ballkanike në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka qenë një ngjarje e izoluar, por ka qenë një vazhdimësi e krimeve që Serbia ka bërë në Kosovë, edhe para masakrës së Tivarit, prej luftërave ballkanike 1912-1913, por edhe një vazhdimësi i asaj se çfarë ka ndodhur në Kosovë, sidomos në kontekstin e viteve të 90’ta dhe politikës së spastrimit etnik të vitit 1998-1999...Masakra e Tivarit është një tragjedi dhe paralajmërim se si një padrejtësi e vjetër po zëvendësohej me një padrejtësi të re”, tha Hoxhaj.

Se krimi dhe gjenocidi i bërë aso kohe ishte i qëllimshëm, e thotë edhe Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë. Sipas tij, edhe pas shtatë dekadave nuk janë gjetur as trupat e viktimave, e madje nuk ekziston as lista e tyre e plotë.

Syla: Masakra e Tivarit nuk ishte një incident

“Masakra e Tivarit nuk ishte një incident, kjo ishte produkt i qëndrimit shtetëror, si hallkë e një zinxhiri të gjatë masakrash të frymëzuar, produkt i një filozofie raciste, gjenocidial. E vetmja mënyrë për të përballuar shqiptarët është forca brutale e një shteti të organizuar, i cili mund të jetë i suksesshëm vetëm po qe se vepron me brutalitet. Pas masakrës autoritetet jugosllave kanë marrë të gjitha masat, për të zhdukur gjurmët e saj. Qeveria komuniste jugosllave, duke dashur të fshehë përgjegjësitë e shtetit jugosllav dhe drejtuesve të këtij krimi nuk  e hetuan, denoncuan këtë masakër si krim lufte ose gjenocid”, ka thënë Syla.

Ndryshe, para 74 vjetësh, saktësisht në pranverën e vitit 1945 u vranë dhe masakruan me mijëra shqiptarë në Tivar, e kryer nga forcat jugosllave, ngjarje kjo që vazhdon të mbetet e pandriçuar si duhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat