KPK i reagon VV-së: Nuk ndikohemi nga politika

Aktuale

KPK i reagon VV-së: Nuk ndikohemi nga politika

Më: 23 prill 2019 Në ora: 14:25
Takimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj deklaratave publike të subjektit politik “Vetëvendosje”.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë të mbajtur të dielën ka bërë thirrje për protestë para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të premten në mesditë.

Kurti gjatë kësaj konference ka thënë se “me një kryeprokuror si Aleksandër Lumezi nuk mund të bëhet shteti pasi nuk i frikësohet askush”.

Sipas tij, asnjë nga politikanët nuk i frikësohen prokurorëve, veçmas kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Ai poashtu e ka quajtur “lepur” kryeprokurorin e shtetit si dhe prokurorë të tjerë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) shpreh indinjatë të thellë për gjuhën denigruese, propaganduese, ofenduese dhe kërcënuese të subjektit politik “Vetëvendosje”, e cila ka marrë përmasa tendencioze dhe synon cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit prokurorial”, thuhet në komunikatën për media të KPK-së.

Përmes kësaj komunikate KPK ka bërë thirrje për evitimin e përdorimit të një gjuhe të tillë e cila sipas KPK-së është në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke shtuar se KPK-ja nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit pasi që institucioni i Prokurorit të Shtetit është institucion i pavarur.

“KPK-ja thekson se keqpërdorimi  i fjalës së lirë është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike në vendin tonë, ngaqë menaxhimi dhe kontrolli institucional ndaj Prokurorit të Shtetit është e drejtë e patjetërsueshme e Këshillit, me ç ‘rast bëjmë me dije se nuk ndikohemi nga qarqet politike dhe grupet e interesit, sepse pushteti gjyqësor, në kuadër të të cilit funksionojmë, është pushtet i veçantë dhe se Prokurori i Shtetit është institucion unik, i pavarur dhe i paanshëm”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

Krejt në fund KPK u bënë thirrje individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara që puna dhe misioni i institucionit të Prokurorit të Shtetit të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse sipas KPK-së “vlerësimi i punës së prokurorëve bëhet vetëm e vetëm nga Këshilli Prokurorial dhe mekanizmat e tij, e nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat