Haradinaj kërkon nga institucionet seriozitet në trajtimin e personave të kthyer nga Siria

Aktuale

Haradinaj kërkon nga institucionet seriozitet në trajtimin e personave të kthyer nga Siria

Më: 23 prill 2019 Në ora: 16:48
Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga institucionet e përfshira në kthimin qytetarëve të Kosovës nga zona e konfliktit të Sirisë, që të vazhdojnë me seriozitet për përkujdesjen e tyre nga personave te kthyer.

Në mbledhjen e Qeverisë, shefi i ekzekutivit ka thënë se Kosova duhet të dëshmojë seriozitetin e saj në luftën kundër terrorizmit, ndërkohë  ka deklaruar se shteti do t’i marrë përgjegjësitë për qytetarët e Kosovës.

Kryeministrika thënë se të gjitha institucionet e përfshira në procesin e kthimit të kosovarëve që po qëndronin në kampet e luftës në Siri, kanë bërë një punë të shkëlqyeshme.

Ai ka përmendur koalicionin botëror kundër terrorizmit, ku Kosova është anëtare, dhe ka thënë se do të vazhdojnë të jenë përkrahës të të gjitha angazhimeve të këtij koalicioni.

Haradinaj: Do të jemi përkrahës të angazhimeve të koalicionit botëror kundër terrorizmit

“Procesi i kthimit është bërë me mbështetje të ShBA-ve, procesi i vendimmarrjes paraprak lidhur me këtë vendim për kthim ka qenë bnjë proces ligjor , kushtetues, i gjithi ka kaluar nëpër procedurat e parapara në situata të tilla. I falënderoj të gjithë për angazhimin, për punën profesionale që kanë bërë, dhe kërkoj nga të gjitha institucionet e përfshira që ta vazhdojnë me seriozitet përkujdesjen ndaj të kthyerve, edhe pjesën e institucione ligjore, edhe institucioneve të tjera që Kosova të dëshmojë seriozitetin e vet. Ne jemi anëtarë të koalicionit botëror kundër terrorizimit dhe do të vazhdojmë me qenë përkrahës i të gjitha angazhimeve të koalicionit botëror, po ashtu do t’i marrim përgjegjësitë tona për qytetarët tonë”, tha ai.

Ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës ka thënë se në Siri vazhdojnë të jenë 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë. Për kryeministrin, numri i qytetarëve të mbetur në zonat e luftës nuk është i madh.

E ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri deklaroi se bashkë me zëvendësministrin Enver Hoxhaj, do të u dërgojnë letër ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme, dhe zëvendëskryeministrave të Bashkimit Evropian, me qëllim që t’i informojnë për angazhimin e Kosovës në luftën kundër terrorizmit.

Tahiri: Jemi të përkushtuar ta largojmë emrin e Kosovës nga zonat e luftës

“Ne si qeveri e Republikës së Kosovës jemi të përkushtuar që njëherë e përgjithmonë emrin e Republikës sonë ta largojmë nga ato harta, ato zona të luftës nga ato organizata terroriste dhe mos të keni qytetarë të cilët nesër atje mund të jenë viktimë apo nesër  të kryejnë sulme terroriste qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Shteti i Kosovës ka arritur të kthejë të shtunën në mëngjes 110 qytetarë që ishin duke qëndruar në zonat e konfliktit në Siri. Në mesin e tyre, 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë. 

Operacioni i institucioneve të Kosovës ishte i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat