Ligji i pafuqishëm – armët pa leje dhe traumat shkak i vrasjeve të shpeshta në Kosovë

Aktuale

Ligji i pafuqishëm – armët pa leje dhe traumat shkak i vrasjeve të shpeshta në Kosovë

Më: 24 prill 2019 Në ora: 06:21
Pamje nga vendi i ngjarjes

Rastet e vrasjeve dhe plagosjeve në Kosovë, në vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti janë shndërruar në fenomen në rritje.

Dje në Prishtinë, ka ndodhur një vrasje e trefishtë ku një person 61 vjeçar, ka vrarë gruan e tij, gruan e djalin dhe në fund vetën.

Ndërsa mbrëmë në kryeqytet, pas një mosmarrëveshje, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri siç tregohet në raportin e policisë pak para mesnatës.

Këto janë dy raste të freskëta të cilat kanë ndodhur dje në Kosovë, mirëpo gjatë këtyre 4 muajve dhe gjatë vitit 2018 kanë ndodhur shumë vrasje saqë kjo është shndërruar në një dukuri alarmante për autoritetet e sigurisë.

Media ka biseduar me avokatin Tomë Gashi për të diskutuar në lidhje me këtë fenomen dhe shkaqet të cilat po bëjnë që të jetë kaq shumë i shfaqur.

Gashi është shprehur se një nga faktorët kryesorë është edhe gjendja jashtëzakonisht e rënduar në Kosovë ku njerëzit janë të acaruar dhe nuk shohin perspektivë.

“Po, unë nuk jam kompetent që të komentoj statistikat e veprave të rënda penale ku vrasja është më e rënda sepse shuhet jeta e dikujt dhe mendoj që ka shumë faktor që ndikojnë por një faktor që mund të jetë kryesor është gjendja jashtëzakonisht e rënduar në Kosovë ku njerëzit janë të acaruar, ku nuk shohin kurrfarë perspektive dhe merren me lloj-lloj gjëra”, tha Gashi.

Gashi gjithashtu ka potencuar se kemi edhe raste të shumta të hakmarrjes dhe raste të tjera ku të përfshirë janë edhe zyrtarë siç është rasti i policit në Suharekë gjë që e bën edhe më të rëndë këtë dukuri.

“Sigurisht kemi edhe raste të hakmarrjes ku shumë shpesh kryhen edhe vrasje të tilla, ku kemi pasur edhe njerëz që kanë dalur publikisht dhe kanë pranuar se kanë bërë vrasje për motive të tilla. Dhe kemi raste ku janë të përfshirë, shembull rasti në Suharekë ku është përfshirë edhe një polic i Kosovës dhe është rast tepër i rëndë dhe sigurisht një nga rastet më të rënda kur në medie ka qarkulluar lajmi se polici i cili ka kryer vrasjen ka qenë 16 herë i hetuar për vepra të ndryshme penale apo për keqpërdorime të llojllojshme në policinë e Kosovës, ku ai do të duhej të izolohej dhe largohej nga Policia e Kosovës me ç’rast nëse do të ishte larguar nuk do të kishte ndodhur vrasja e të riut”, tha Gashi më tutje.

Gjithashtu, avokati Gashi është shprehur se faktor me rëndësi është edhe gjendja e rënduar psikologjike në Kosovë dhe traumat, një pjesë e të cilave burimin e kanë nga lufta.

“Por besoj që janë shumë faktor, posaçërisht gjendja e rënduar psikologjike në Kosovë, mund të ketë edhe trauma të llojllojshme, një pjesë e tyre kanë burimin nga lufta, do të thotë trauma që janë shfaqur pas luftës sepse 20 vite për dikë janë shumë por për rastet e traumave besoj që askush – askujt nuk i ka dhënë asnjë ndihmë mjekësore edhe pse situata ka qenë jashtëzakonisht e traumatizuar”, ka vazhduar Gashi.

Ndërkohë, avokati më tutje shtoi se problem tjetër është se një pjesë e qytetarëve nuk besojnë fare në sistemin juridik të Kosovës dhe në sistemin e drejtësisë kështu që vendosin që problemet e tyre t’i zgjedhin në mënyrë private ku vjen edhe deri tek vrasja.

Krejt në fund, Gashi tha se edhe armët pa leje në duart e qytetarëve janë problem tjetër i madh dhe askush nuk merret me të.

Ai tha se mbi 500 mijë armë të zjarrit pa leje qarkullojnë në duart e qytetarëve dhe ai me ironi është shprehur se ky numër është më i madh sesa armët që kishin qytetarët në posedim gjatë luftës.

“Problem tjetër është se në Kosovë qarkullojnë diku mbi 500 mijë armë të zjarrit dhe askush nuk merret me këtë problematikë dhe po ashtu dënimet për armë-mbajtje pa leje dënimet janë qesharake. Thuajse mbi 95 për qind e vrasjeve bëhen nga armët e zjarrit dhe pothuajse të gjitha prej tyre janë pa leje. Dukuria e armëve pa leje në Kosovë është problem i madh, dhe po e them në mënyrë ironike por besoj të jetë e vërtetë, në Kosovën e pasluftës kemi më shumë armë të zjarrit sesa që kemi pasur në kohën e luftës së vitit 98-99, numri është jashtëzakonisht i madh dhe askush nuk merret me këtë çështje që është jashtëzakonisht e rëndë”, tha Gashi krejt në fund.

Edhe nga aspekti sociologjik, njohës të fushës janë shprehur se gjendja sociale dhe traumat janë një faktor me rëndësi për këtë dukuri.

Vlen të theksohet fakti se në Kosovën e pasluftës ende ekzistojnë probleme kanunore të cilat nuk marrin parasysh ligjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat