Rreth 100 biznese pjesë e panairit ndërkombëtar ‘Prishtina 2019’

Aktuale

Rreth 100 biznese pjesë e panairit ndërkombëtar ‘Prishtina 2019’

Më: 24 prill 2019 Në ora: 11:24
Foto ilustrim

Sot është hapur Panairi Ndërkombëtar “Prishtina 2019”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, me qëllim të promovimit të kompanive kosovare dhe produkteve të tyre brenda Kosovës, rajonit dhe më gjerë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, theksoi se qeveria ka për qëllim përkrahjen e sipërmarrëseve, duke krijuar kushte të favorshme për pagesat tatimore.

Ai paralajmëroi se autostrada “Arbën Xhaferi”, apo autorruga për Shkup do të përfundojë në fund të muajt maj.

Ministri i MTI-së  Endrit Shala, me këtë rast theksoi se kompanitë kosovare përmes prezantimit të produkteve të tyre janë duke promovuar prodhimtarinë edhe për tregun rajon dhe evropian.

 “I ftoj të gjitha kompanitë kosovare që të arrihet një bashkëpunim edhe më i madh me Qeverinë, për zhvillimin e tyre dhe ekonomisë së Kosovës duke rritur edhe punësimin”, tha Shala duke kërkuar nga kompanitë kosovare që të rrisin edhe më tej cilësinë e prodhimtarisë së tyre.

Po ashtu ai kërkoi nga qytetarët që të konsumojnë edhe më shumë produkte vendore.

 Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, në hapje të panairit theksoi se panairi është një ndër mundësitë kryesore për promovimin e ekonomisë.

“Duke pasur parasysh se ky vit sipas Qeverisë është vit i ekonomisë, është mirë që ekzekutivi të fokusohet në mbështetjen prodhimtarisë dhe punësimit”, tha Rukiqi.

Ministri i MZHE Valdrin Lluka, tha me këtë rast se sot bizneset përballen me mungesë të energjisë elektrike, por paralajmëroi se në këtë vit do të nis ndërtimi i TC Kosova e Re dhe nuk do të ketë as import të energjisë.

Panairi në të cilin po marrin pjesë rreth 100 biznese nga vendi, rajoni dhe BE-ja, është i hapur deri më 26 prill në Qendrën e Panaireve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat