Diskutohet dhënia e prioritetit të ekspertizave forenzike për sistemin prokurorial

Aktuale

Diskutohet dhënia e prioritetit të ekspertizave forenzike për sistemin prokurorial

Më: 24 prill 2019 Në ora: 11:44
Pamje nga takimi

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni, ka pritur në takim Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), Blerim Olluri, më të cilin ka biseduar për çështjet e bashkëpunimit të ndërsjellë, bën të ditur komunikata për media nga KPK.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i mbështetjes së nevojshme për ofrimin e shërbimeve forenzike me prioritet të lartë dhe në kohë sa më të shpejtë për rastet që lidhen me lëndët e ndryshme penale.

Në ketë kontekst, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka kërkuar nga Kryeshefi i AKF-së, Blerim Olluri, që të mundësohet dhënia e prioritetit për lëndët me paraburgim dhe lëndët e tjera, në mënyrë që të zbardhen shpejt hetimet për rastet e ndryshme kriminale.

Ndër të tjera, Hyseni dhe Olluri kanë diskutuar edhe për organizimin e takimeve të zyrtarëve të sistemit prokurorial dhe atyre të kësaj agjencie për t’i koordinuar çështjet e përbashkëta, si dhe kanë theksuar nevojën e njohjes së proceseve dhe procedurave të nxjerrjes së ekzaminimeve forenzike përmes organizimit të vizitave të prokurorëve në laboratorët përkatës.

Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar që të mbështesin hartimin e një ligji të veçantë për rregullimin e procedurave të ekspertizave të nevojshme për sistemin e drejtësisë, ligj ky, i cili është edhe shtruar si kërkesë imediate nga ana e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, në takimin e tretë të Bordit të Agjendës së Përbashkët “Drejtësia 2020”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat