Rrëfimi i 27-vjeçares nga Prishtina të cilën burri me dhunë e dërgoi në Siri

Aktuale

Rrëfimi i 27-vjeçares nga Prishtina të cilën burri me dhunë e dërgoi në Siri

Më: 25 prill 2019 Në ora: 10:50
Foto ilustrim

“Burri më kishte thënë se po shkojmë në Gjermani. Unë isha shtatzënë. I shitëm krejt çka patëm në Kosovë dhe morëm rrugë. Nuk e disa se do të përfundojë në kamionin i cili na  çoi në kampet e luftës në Siri”, kështu ka deklaruar para avokates 27-vjeçarja e riatdhesuar para disa ditëve nga Siria në Kosovë.

Ajo bashkë me 31 gra të tjera pas një operacioni të organizuar nga ushtria amerikane u rikthyen për në Kosovë pas pesë viteve qëndrim në Siri.

Këto gra, ka dy ditë që janë duke dhënë deklaratat e tyre në seancat dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përkatësisht në departamentin për Krime të Rënda.

Në deklaratat që kjo e riatdhesuar i dha dje para trupit gjykues, ajo ka deklaruar se bashkëshorti i kishte thënë se po shkojnë në Gjermani. Në kohën e nisjes për në kampet e luftës, kjo 27-vjeçare kishte qenë shtatzënë. Pas një kohe qëndrimi atje, asaj i vritet burri. Ndërkohë që detyrohet të martohet me burrin e dytë, i cili ishte shqiptar. Nga dy martesa kjo 27-vjeçare ka dy fëmijë.

Këto detaje i dha sot, avokatja e saj Saranda Beqiri.

“Ajo ka deklaruar se atje ka shkuar pa dëshirën dhe vullnetin e saj. Faktikisht nuk e ka ditë se për ku është nisur. Ka mendu se po shkon në Gjermani për jetë më të mirë. Këtu të gjitha që i kanë pas i kanë shitur.  Por në fazën e fundit ajo e ka parë që vetën në kamion e ka ditur që po shkon në Siri. Ajo ka qenë shtatzënë në kohën kur ka shku me burrin e saj”, tregon avokatja Beqiri.

 Avokatja thotë se klientja e saj është penduar për shkuarjen e saj në kampet e luftës.

“Ajo kur ka shkua atje ka kërkuar menjëherë me u kthye, por kjo gjë ka qenë e pamundur. Bashkëshorti i saj ka vdekur atje. Andaj ajo është martuar me një person tjetër që është shqiptar. Kjo tash i ka dy fëmijë me dy burra të ndryshëm.”, deklarohet për klienten e saj avokatja.

Ndërkohë, për dy ditë rradhazi Gjykata Themelore ka mbajtur seanca dëgjimore ku kanë dëshmuar disa gra të kthyera nga Siria.

Gjykata lë në arrest shtëpiak 19 gratë e kthyera nga Siria

Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë ditës së mërkurë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për vendosjen e masës së arrestit shtëpiak për 19 gratë e kthyera nga Siria.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur lidhur me dy kërkesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurave R.Q, F.Z, J.XH, A.M, Q.S, E.B, V.A, E.S, M.T, V.T-D, SH.T, M.T, L.I, A.A, G.L-K, D.D, V.I dhe J.L për shkak të veprës penale Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nga neni 3 par.3 të ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, ligji Nr.05/1-002 dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par. 2 i KPK-së.

Të pandehurave R.Q, F.Z, J.XH, A.M, Q.S, E.B, V.A, E.S, M.T, V.T-D, SH.T, M.T, L.I, A.A, G.L-K, D.D, V.I dhe J.L iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj për secilën veç e veç, duke filluar nga data 24.04.2019 deri me datë 24.05.2019.

Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak kundër këtyre të pandehurave bazuar në nenin 187 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat R.Q, F.Z, J.XH, A.M, Q.S, E.B, V.A, E.S, M.T, V.T-D, SH.T, M.T, L.I, A.A, G.L-K, D.D, V.I dhe J.L që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat