Kreu i Sindikatës së Telekomit: Kompanitë tjera po e zhvatin buxhetin tonë

Aktuale

Kreu i Sindikatës së Telekomit: Kompanitë tjera po e zhvatin buxhetin tonë

Më: 25 prill 2019 Në ora: 11:50
Posta e Kosovës

Qysh nga viti 2008 gjendja në Telekomin e Kosovës është rënduar, ku ka pasur borde politike varësisht nga koalicionet që ishin në Qeveri.

Ndërsa kontrata me Z-Mobile dhe afera "Sim to sim", rrjeti i njëjtë i njerëzve dhe auditimi i brendshëm janë faktorët kryesorë që kanë çuar ndërmarrjen në këtë gjendje.

E falimentimi i mundshëm i kësaj ndërmarrje po vlerësohet të çojë edhe në falimentimin e shtetit.

Kështu u tha në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ku po raportojnë përfaqësues të Federatës të Sindikatës të Telekomit, të cilët thanë se do të kundërshtojnë me cdo kusht vazhdimin e mundshëm të kontratës me Z-Mobile.

Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, tha se dëmi është i madh sa që prej 80 milionë eurove sa kanë dhënë dividentë më parë, tash e dy vite nuk po mund të japin as 1 milionë euro dividentë për shtetin. Ai tha se nuk kanë larguar punëtorë prej punës, por punëtorëve nuk iu është dhënë punë. Sipas tij, fakti se Z –Mobile zotëron 30 përqind të tregut me vetëm 61 punëtorë, kjo përbën krim të organizuar dhe zhvatje të buxhetit.

"Nga viti 2008 e këtej e kemi një gjendje më të rëndë. Z -Mobile nuk ka investuar asnjë cent në Telekom, fitimin e kanë të pastër dhe operojnë 30 përqind të tregut. Kjo kontratë duhet me u shkëput. Z Mobile i kalon kontrata këtë vit. Ne e kemi humbur edhe një gjyq ndërkombëtar, kur ka mundur të zgjidhet me gjyq vendor. Me gjyq ndërkombëtar janë humb 32 milionë euro. Për neve si punëtorë është e papranueshme që një kompani si Z - Mobile na ka dërgu në gjyq ndërkombëtar, na kanë zhvatur miliona euro dhe prapë dëshirojnë të kenë marrëveshje me ne. Në rast se vendoset që të vazhdohet kjo kontratë, ne punëtorët nuk do të iplementojmë atë pasi është duke u vjedhur Telekomi i Kosovës", tha Balaj.

Ai tha se Telekomi i Kosovës ka punëtorë të mjaftueshëm, teksa tha se janë e vetmja ndërmarrje në Kosovë që i ka dhënë shtetit dividentë dhe nuk ka pasur nevojë që shteti t'i japë asaj. Sipas tij, zërat se Telekomi i Kosovës do të falimentojë, po e dëmtojnë shumë këtë ndërmarrje. Ndërsa tha se deri më tash i kanë dërguar disa lëndë në krime ekonomike.

"Nëse falimenton Telekomi i Kosovës, falimenton Republika e Kosovës. Ka kompani që kanë kryer punët e Telekomit, vijnë kompani të ndryshme që kryejnë punën e montatorit, derisa montatorët rrinë. Ne jemi në gjendje jashtëzakonisht keq sepse institucionet na kanë blloku", u shpreh ai.

Kryetari i komisionit, Visar Ymeri, tha se po del që problem të jenë kontratat me palët e treta, derisa adresoi edhe një numër pyetjesh.

 "A është rritur numri i shërbimeve me nënshkrimin e këtyre kontratave të Telekomit? A e ka sot Telekomi mundësinë të ofrojë produkte pa ndihmën e kompanive tjera? Ju e përmendët se keni dërguar disa lëndë në krimet ekonomike, a është përgjigjur ndonjëherë deri më tash Prokuroria", tha ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u shpreh se ato që dëgjuan sot shërbejnë në qartësimin e pasqyrës për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Ai tha se punëtorët duke mbrojtur interesat e tyre, e ruajnë edhe kompaninë. Ndërsa shtoi se janë punësuar njerëz në baza partiake, pa pasur njohuri me profesionin përkatës.

"Çka ish më e keqja, që këto shërbime janë blerë nga një kompani me renome botërore, dhe çmimi këtu është 1 mijë përqind më lartë. Thatë, politika e fuqishme, çka nënkupton kjo për ju. Do të kishim dashur t'i dimë me emra dhe mbiemra dhe njerëzit e krimit brenda dhe jashtë, ndihmonani t'i gjejmë dhe t'i vëmë para drejtësisë", u shpreh ai.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, pyeti se cilat janë kontratat tjera të dëmshme pas asaj me Z-Mobile.

"Kryetarja e bordit, Besa Shatri ka deklaruar se Telekomi është drejt falimentimit. Si e komentoni ju këtë dhe në oborret e cilëve politikanë janë të vendosura antenat", u shpreh ajo.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, parashtroi nevojën për sqarim të aferës "Sim to Sim".

"Si përfaqësues i sindikatës e keni obligim të tregoni se kush janë ata që e kanë dëmtuar Telekomin për 22 milionë euro", tha ai.

 Ndërsa deputeti Shkumbim Demalijaj nga AAK-ja pyeti se a do të falimentojë Telekomi.

Në përgjigjen e tij, Balaj tha se kompanitë që shesin në emër të Telekomit nuk i duhen ndërmarrjes aspak. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar me Z-Mobile se gjoja ajo po e fal borxhin, por për 8 vjet do të marrë shërbime nga Telekomi, që siç tha ai, i bie që rreth 126 milionë euro i ka humbur Telekomi.

"Këto janë dhënë veç hajt. Merreni me mend, u janë dhënë banesa që kanë shitur. Janë kompani që janë duke na e zhvatë buxhetin. Ka kontrata që unë e kam marrë vesh prej ju kur keni pyetur. Më lehtë ka qenë me hy në zyrë të Presidenti se me shku në katin e 4-të", u shpreh ai.

 Sa i përket dosjeve të dorëzuara për krimet ekonomike, Balaj tha se është ftuar njëherë për të dhënë deklaratë, porse më pas nuk është thirrur asnjëherë tjetër.

Ai u shpreh kundër privatizimit të Telekomit, teksa shtoi se Telekomi është dëmtuar për 34 milionë nga falja e borxheve publike.

Me faljen e borxheve publike, Balaj tha se janë humbur 28 milionë vetëm në shërbimet Vala.

 Ndërsa sa i përket qirasë, ai tha se kanë alarmuar institucionet për shumat e mëdha të tyre, teksa tha se është e lehtë të gjenden emrat e atyre të cilët marrin të hyra nga qiraja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat